Granit Xhaka, kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës, la gjurmë edhe në sfidën ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, ku shënoi një gol dhe pas realizimit dha një sinjal me domethënie gjatë festimit.
Mesfushori e udhëhoqi sërish repartin e mesit të Zvicrës në fitoren 4-1 ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa në fund të takimit vulosi rezultatin përfundimtar me golin e fundit të ndeshjes.
Të lidhura
None found
Pasi shënoi nga pika e bardhë, futbollisti zviceran me prejardhje shqiptare bëri një gjest që imitonte të folurin dhe bisedën, duke dërguar kështu një mesazh të qartë.
Sipas mediave në Zvicër dhe Gjermani, ky reagim ishte i drejtuar ndaj mediave zvicerane, të cilat e kishin akuzuar për krijimin e një klime toksike dhe të pashëndetshme në dhomën e zhveshjes dhe brenda ekipit.
Gjithçka lidhet me reagimin e tij pas barazimit me Katarin, kur Xhaka kritikoi ashpër paraqitjen e Zvicrës, sidomos pas golit të pësuar në çastet e fundit të ndeshjes. Në rolin e kapitenit, ai foli hapur për ekipin e tij, por më pas u përball me akuza nga mediat e atjeshme se po nxiste trazira.
Me festën e golit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Xhaka duket se zgjodhi t’u përgjigjej pikërisht këtyre kritikave, pasi realizoi penalltinë që vendosi rezultatin 4-1.
“Nuk është gjithmonë e lehtë. Do të gënjeja nëse do të thosha se hyri nga një vesh dhe doli nga tjetri. Më dhemb. Ka gjëra që thjesht nuk i kuptoj. Janë shkruar shumë, pardje pati një artikull të madh që nuk mund ta injorosh”, tha Xhaka pas fitores.
Në ndryshim nga reagimi pas ndeshjes së parë, kësaj here ai i përgëzoi bashkëlojtarët për paraqitjen si grup, disiplinën dhe luftën e treguar gjatë të 90 minutave. Xhaka nënvizoi gjithashtu se Zvicra u paraqit e fortë dhe e bashkuar në fushë.
