“Mercenarët shqiptarë në Ukrainë”

Nga Enver Robelli

Përballë krizës në Ukrainë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që mediat në Kosovë të mos marrin në mënyrë jokritike çdo lajm që botohet në mediat serbe, por edhe ato rajonale.

Lajmet si “mercenarët kosovarë në Ukrainë” nuk duhet të plasohen pa u hulumtuar dhe kontekstualizuar.

Lajmet e tilla propagandistike të palës ruse dhe shtypit të verdhë rajonal mund të merren vetëm si bazë nga gazetarët e Kosovës për të hedhur dritë në sfondin e vërtetë të zhvillimeve.

Më tutje mund të hulumtohet se sa shtetas serbë kanë luftuar dhe luftojnë në anën e separatistëve prorusë në Ukrainë.

Edhe sa i përket vizitës së pritshme në Beograd të Sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, është mirë që mediat të hulumtojnë pak për rolin e tij në përpjekjen për puç në Mal të Zi më 2016.
Pas arrestimit të disa serbëve, të cilët kishin lidhje edhe në veri të Kosovës, dhe pasi drejtësia malazeze përmendi me emra edhe agjetë rusë të involvuar në tentimin për puç, Nikolai Patrushev fluturoi atëbotë në Beograd dhe i ofroi Serbisë një marrëveshje bashkëpunimi e mirëkuptimi mes Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë dhe ministrisë së Brendshme serbe. Kjo ishte fasada zyrtare.

Arsyeja e vërtetë ishte tërheqja e agjentëve rusë të zbuluar në aktivitete spiunazhi. Vetë presidenti serb Vuçiq atëbotë kishte folur për “elemente të jashtme” të përzier në shkaktimin e tensioneve në Mal të Zi.

Involvimi i thellë i Rusisë në Mal të Zi për një moment e kishte frikësuar edhe Vuçiqin se mund të pësojë nëse ndërron kursin e politikës.

Por që nga atëherë kanë kaluar mbi 5 vite dhe Vuçiq ka arritur të mbajë kursin e politikës së ambivalencës përfituese: mirë me Perëndimin dhe mirë me Rusinë dhe Kinën.

Rreth Ukrainës po zhvillohet një luftë e madhe propagandistike nga pala ruse. Siguria nacionale e Kosovës mund të dëmtohet nëse mediat symbyllur dhe për klikime botojnë çdo bërllok që plasohet nga Moska përmes megafonëve të ndryshëm në Ballkan.