Zbardhet lista e plotë me 59 persona që do të dëshmojnë para Gjykatës së Elbasanit për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani. Nga lista e emrave bie në sy mungesa e deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes në vendin e krimit. Arjan Hoxha është një prej dëshmitarëve që është thirrur për të dëshmuar në seancën e 9 janarit ndaj Arbër Paplekajt. Hoxha, së fundmi ka fituar Primaret për Bashkinë e Kamzës, e në zgjedhjet lokale të 14 majit do të garojë përballë socialistëve. Arjan Hoxha ka qenë i pranishëm në krimin e rëndë të ndodhur në 21 Prill të vitit 2021 ku Arbër Paplekaj vrau Pjerin Xhuvanin.
Po ashtu, në listën e dëshmitarëve ishte dhe Mehmet Greca, i cili akuzohej për vjedhje votash. Edhe pse është akuzuar se po blinte vota për Partinë Socialiste, vetë ai ka deklaruar se pretendimet e tij ishin të pavërteta dhe duke shtuar se ishte marrë peng nga mbështetës të Partisë Demokratike. Për të dëshmuar para Prokurorisë së Elbasanit janë thirrur edhe banorë të zonës, por edhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?
Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.