Foto ilustruese
Një foshnjë shqiptare katër muajshe ndodhet e shtruar e intubuar dhe në gjendje shumë të rëndë në spitalin e fëmijëve “Agjia Sofia” në Greqi. Sipas Protothema, gjithçka nisi pasditen e së shtunës kur prindërit e tij e morën nga një fshat i komunës së Trifilisë ku jetojnë në spitalin e Kyparissias pasi fëmija kishte konvulsione.
Mjekët që e kanë ekzaminuar kanë konsideruar se ai duhet të dërgohet në spitalin e Kalamatës, siç është bërë mbrëmjen e së shtunës. Kur foshnja mbërriti në Kalamatë dhe u kontrollua nga mjekët, u pa e nevojshme intubimi i tij dhe transferimi në spitalin e Athinës.
Në të njëjtën kohë, mjekët kanë njoftuar policinë pasi kanë zbuluar se fëmija vuante nga sindroma e lëkundjeve dhe kishte të nxira në trup. Babai i fëmijës, 20-vjeçari shqiptar ka udhëtuar me foshnjën drejt Athinës, por pak më pas është arrestuar nga autoritetet. Ai ndodhet aktualisht në policinë e Mesinisë, pasi ndaj tij është ngritur një çështje për dhunë në familje dhe nesër paradite pritet të dalë në prokurorinë e Qiparisisë.