Elidon Çela, pronari dhe drejtuesi i autobusit të kompanisë së transportit “Buon Aventura” që u kap me 522 mijë euro të padeklaruara në mjet do hetohet në detyrim paraqitje, ndërsa do të kryhen verifikime dhe në Itali ku ushtronte aktivitetin. Çela u arrestua në Portin e Durrësit, teksa kthehej nga Bari i Italisë. Atij iu gjetën 522 mijë euro në tavanin e autobusit të mbushur dhe me mallra kontrabandë.
Më herët ai deklaroi për togat e zeza se ka biznes të rregullt dhe se eurot ishin kursime të familjes preh 26 vitesh. Çela tha se me ato para do të merrte toka me qira dhe do të investonte në mbjelljen e grurit, pasi kishte blerë dhe farën në Itali, por nuk i ka kursyer akuzat. Teksa ndodhej në ‘kafaz’, Çela pretendoi se paratë e tij janë të pastra dhe e krahasoi situatën me shumë persona të tjerë që inkriminohen, por vijojnë të jenë të lirë. Ai madje tha se ka pushtetarë në vend që kanë miliona euro nga korrupsioni e krimi, por nuk burgosen.
“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit. Askush nuk e dinte për paratë që kisha në autobus, kisha frikën e një grabitjeje të mundshme. Paratë janë kursimet e familjes time prej 26 vitesh, do investoja në toka që do merrja me qira për biznes. Ka pushtetarë që ia vjedhin shtetit 4 milion euro dhe lëvizin të lirë, ndërsa unë në burg me paratë e mia,”- tha Çela.
Dy ndihmësit e tij, Dritan Kamberi e Anold Cankja në seancën e mëparshme gjithashtu u liruan dhe u lanë në masën “detyrim paraqitjeje”.