Mbyllja e TikTok zyrtarisht në Shqipëri, zbardhet VKM!

Qeveria shqiptare ka vendosur mbylljen e rrjetit social “TikTok” për një periudhë 12-mujore, një masë që synon mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në këtë platformë. Vendimi u njoftua ditën e sotme nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se brenda një jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të ndërmarrë masat për bllokimin e aksesit në TikTok.

Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave theksohet se mbyllja do të zgjasë deri në mundësimin e instrumenteve teknike nga ofruesi i platformës për të rregulluar aksesin e fëmijëve dhe për të kufizuar përmbajtjet e dëmshme.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi vendimin si rezultat të një konsultimi të gjerë me 65 mijë prindër dhe mësues në të gjithë vendin. Sipas tij, mbi 90% e tyre ishin pro ndërprerjes së përkohshme të TikTok, duke e konsideruar atë të rrezikshëm për fëmijët. Rama shtoi se Shqipëria është në një dialog pozitiv me kompaninë kineze, e cila pritet të dërgojë përfaqësuesit e saj në vend për të paraqitur masa për rritjen e sigurisë, përfshirë edhe përmbajtje në gjuhën shqipe dhe risi që mund të ndihmojnë në procesin arsimor.

Ky vendim vjen pas një konsultimi publik në dhjetor 2024, i cili u intensifikua pas vrasjes tragjike të një nxënësi 14-vjeçar, Martin Cani, nga një bashkëmoshatar i tij. Ngjarja e rëndë shtyu institucionet dhe shoqërinë drejt një reflektimi mbi ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë dhe masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.

Qeveria shqiptare do të monitorojë nga afër këtë proces dhe do të vijojë bashkëpunimin me TikTok për të garantuar që platforma të bëhet më e sigurt për fëmijët përpara se të rikthehet në përdorim në Shqipëri.


Shtuar 6.03.2025 21:38