Mbyllet seanca, Kuvendi miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2023

Është mbyllur seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë për diskutimin mbi buxhetin e vitit 2023.

Projekt-buxheti është miratuar me 74 vota pro, ndërsa 41 deputetë kanë votuar kundër, ndërsa nuk ka pasur asnjë abstenim.

Gjithashtu është miratuar në parim me 76 vota pro ndryshimi në ligjin mbi tatimin mbi vlerën e shtuar.

Në projektbuxhetin e vitit 2023 të ardhurat parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet do të jenë 687.2 miliardë lekë. Planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6 %, nga 3.7 % që pritet të jetë në këtë vit.

Seanca e djeshme u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, dhe “mollë sherri” ishte Porti i Durrësit.

Nga njëra anë opozita akuzon qeverinë për mos bërje transparence dhe nga ana tjetër mazhoranca e cilëson këtë projekt si një nga investimet më të mëdha që do ta kthejë Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme në Mesdhe.

Seanca e Kuvendit ka nisur ditën e djeshme në orën 10:00 dhe vijoji deri në orën 23:00, për të rinisur sot në orën 09:00, e duke u mbyllur në orën 13:55./albeu.com

 

 


Shtuar 10.11.2022 13:58