Mbretëria e Bashkuar i thotë “Jo” dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë

Britania nuk beson se është praktike të dërgojë avionët e saj luftarakë në Ukrainë, tha sot zëdhënësi i kryeministrit Rishi Sunak, pasi Kievi tha se do të bënte presion për furnizimin me avionw tw tillw perwndimorw.

Ai tha se avionët luftarakë të Mbretërisë së Bashkuar janë jashtëzakonisht të avancuar dhe do të duhen muaj që pilotët ukrainas të mësojnë se si të fluturojnë.

“Duke pasur parasysh këtë, ne besojmë se është jopraktike dërgimi i këtyre avionëve në Ukrainë”, u tha zëdhënësi gazetarëve.

“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me aleatët tanë atë që ne mendojmë se është qasja e duhur,” shtoi zëdhënësi.

Ndërkohë, zëvendësministri i mbrojtjes i Polonisë tha sot se çështja e transferimit të mundshëm të avionëve luftarakë të Forcave Ajrore Polake F-16 në Ukrainë nuk është objekt i ndonjë “diskutimi zyrtar”.

“Për momentin nuk ka asnjë diskutim zyrtar për transferimin e F-16 polakëve” në Ukrainë, tha Wojciech Skurkiewicz për AFP.

Polonia ka 40 avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan.

Këto deklarata vijnë një ditë pas atyre të kryeministrit Mateusz Morawiecki, i cili nënvizoi se “të gjithë hapat tanë që synojnë forcimin e forcave mbrojtëse të Ukrainës, ne i koordinojmë me partnerët tanë të NATO-s”.

Presidenti amerikan Joe Biden ka kundërshtuar dje në mënyrë kategorike idenë e dërgimit të avionëve luftarakë amerikanë F-16 në Ukrainë.

Nga ana e Bashkimit Evropian, Berlini tashmë ka hedhur poshtë kategorikisht idenë e dërgimit të avionëve luftarakë, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron vlerësoi se “sipas definicionit, asgjë nuk përjashtohet”, duke siguruar se ukrainasit nuk i kanë paraqitur ende një kërkesë të tillë atij.

Presidenti francez foli gjithashtu me kryeministrin holandez Mark Rutte, i cili tashmë kishte hedhur idenë e dërgimit të F-16 në Ukrainë, duke theksuar se nuk ka “tabu” për këtë çështje, por do të ishte “një hap i madh”./Albeu.com/


Shtuar 31.01.2023 18:02