Mbledhja e grupit parlamentar të PD, zbulohet draftpropozimi i Bardhit për bashkimin e demokratëve

Gazment Bardhi ka mbledhur sot deputetët e PD-së në kryesinë e Kuvendit, për të diskutuar në lidhje me kreun e partisë demokratike, kryetar ose kolegjial si edhe procesin e organizimit Brenda partisë.

“Balkanëeb” mëson se draft-propozimi i Gazment Bardhit ka të bëje me organizimin e partisë nga poshtë lart. Gjithashtu theksohet se synohet një proces që të realizojë bashkimin e demokratëve.

Mbledhja vjen pak ditë pasi ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka nisur një tur takimesh ku ka lënë të hapur mundësinë për të garuar sërish kur kjo forcë politike të hapë garën.

Kujtojmë se vetëm pak ditë pas humbjes në zgjedhjet e 14 majit, Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së dhe pozicioni i kreut të grupit parlamentar.

Pas dorëheqjes së tij, Alibeaj tha se partia duhet të riorganizohet për t’u ndarë nga Sali Berisha dhe për të ndërtuar aleancë me potencial për zgjedhjet e vitit 2025.

Si rrjedhojë, Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj.

Sakaq largimi Alibeajt ka sjellë në dritë skenarin për rikthimin e Lulzim Bashës. Burime bëjnë me dije se Lulzim Basha do të zhvillojë sot një takim me të rinjtë e FRPD-së në një hotel në Tiranë.

Ia vlen të theksojmë se Lulzim Basha nuk ka folur publikisht për një rikthim në PD. Mbetet për tu parë se si do procedohet me liderin e PD-së zyrtare.

 /albeu.com/