Libri “The Albanian Files”, i paraqitur si një album që dokumenton ndryshimin arkitekturor të Shqipërisë, nxjerr në pah rolin e kryeministrit Edi Rama dhe të bashkëpunëtorëve të tij në zgjedhjen e arkitektëve të njohur ndërkombëtarisht për projektet private të kullave në Tiranë dhe resorteve përgjatë bregdetit.
Mbrëmjen e 1 majit 2024, në orën 10, arkitekti amerikan Sam Chermayeff mori një telefonatë të pazakontë nga miku dhe kolegu i tij, Pablo Bofill.
Të lidhura
None found
“Edi do të të telefonojë”, i tha ai.
Ishte 45-vjeç dhe drejtonte një studio arkitekturore me seli në Berlin dhe Nju Jork, ndërsa deri atëherë Shqipëria nuk kishte qenë kurrë një fokus serioz për të.
Megjithatë, ajo telefonatë do të kthehej në një kthesë të rëndësishme për studion e tij.
Në anën tjetër të linjës nuk ishte Edi, por Adelajda Roka, një zyrtare e lartë shqiptare në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
“Brenda një kohe të shkurtër na u kërkua të punonim në dy projekte në Tiranë, njëri prej 30 mijë metrash katrorë dhe tjetri prej 15 mijë metrash katrorë”, shkruan Chermayeff në librin “The Albanian Files”.
Sipas tij, ai pranoi “pa e kuptuar realisht se çfarë po ndodhte”.
Pas vetëm pak javësh, arkitekti amerikan udhëtoi drejt Tiranës në një vizitë që ai e përshkruan me edhe më shumë habi. Në aeroport u prit dhe më pas u çua në një vilë, të cilën e përshkruan me emrin “House of Comrades”.
Më vonë ai u takua me klientët e parë shqiptarë, një grup prej tre biznesmenësh që, sipas tij, kishin secili makina G-Wagon, ora “Richard Mille” dhe byzylykë floriri “Cartier”.
Gjatë vizitës në vendin ku do të ndërtohej një kullë 44 katëshe, ata i thanë se kishte liri të plotë për të bërë çfarë të dëshironte. Chermayeff i përshkruan me krenari si our guys – “çunat tanë”.
I pyetur nga BIRN në fund të qershorit për mënyrën se si kishte hyrë në tregun shqiptar, Chermayeff nuk e pohoi drejtpërdrejt se ishte Adelajda Roka ajo që e kishte lidhur me klientët, por pranoi se ajo kishte qenë pjesë e procesit.
“Kam folur me shumë njerëz përveç Adelajdës”, tha ai në një bisedë telefonike. “Nuk mund të them me siguri nëse ishte Adelajda Roka që na vuri në kontakt me klientët, por besoj se ky ishte mekanizmi”.
Sam Chermayeff, është vetëm një prej 60 arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare që përfshihen në librin e debatueshëm The Albanian Files, ku ndërthuren përshtypjet e tyre me projektet e realizuara për kulla shumëkatëshe dhe resorte turistike, si pjesë e asaj që përshkruhet si “rilindja arkitekturore” e Shqipërisë.
Botimi i shtëpisë zvicerane “Lars Müller Publishers”, me parathënie të kryeministrit Edi Rama, hap një panoramë mbi mënyrën se si emrat e mëdhenj të arkitekturës botërore përdoren si kartë suksesi përpara Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, institucioni që nën drejtimin e Ramës miraton lejet e ndërtimit.
Disa prej arkitektëve në libër tregojnë gjithashtu se, projektet shumë milionëshe porositen drejtpërdrejt përmes kryeministrit, drejtoreshës së AZHT-së ose përmes rrjeteve joformale, për llogari të klientëve privatë.
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, i cili prej vitesh kritikon planet e Ramës për ngritjen e kullave në Tiranë, e sheh këtë si “provë të kapjes së shtetit”.
“Përdorimi i star-arkitektëve është mbulesa që fsheh këtë veprimtari, të cilën unë e konsideroj kriminale të pastër dhe këtu mendoj se ka vend për hetim”, tha Lubonja për BIRN.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AZHT-së, Adelajda Roka, nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN.
Telefonatat e kryeministrit:
Prej më shumë se dhjetë vitesh, Tirana është shndërruar në një terren të vrullshëm ndërtimi, ku lejet për kulla dhe komplekse të mëdha justifikohen me idenë e një kryeqyteti që po zgjerohet me ritme të shpejta.
Këto projekte mbështeten te Plani i Përgjithshëm Vendor TR030, i hartuar në vitin 2016 nga studioja e Stefano Boerit mbi një skenar të zgjerimit demografik dhe territorial të Tiranës. Plani parashikonte rritje me të paktën 200 mijë banorë brenda 15 vitesh, por censusi i vitit 2023 tregoi një tablo krejt tjetër.
Sipas të dhënave të vitit 2023, Bashkia e Tiranës kishte 591,427 banorë rezidentë, ndërsa në territorin e saj rezultonin më shumë se 52 mijë banesa të pabanuara, prej të cilave 40 mijë ishin apartamente në pallate.
Megjithatë, fakti që kryeqyteti po tkurrej nuk e ndali dot valën e ndërtimeve.
Tirana u kthye në “El Doradon” e arkitektëve të huaj, shpesh edhe me shtysën e drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, siç sugjeron libri “The Albanian Files”.
I përgatitur nga redaktorja Anneke Abhelakh, libri përfshin rreth 520 projekte të realizuara nga gjashtëdhjetë studio ndërkombëtare arkitekturore në Shqipëri, duke nisur nga mesi i viteve 2000, kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës. Megjithatë, pas vitit 2020 numri i tyre u rrit ndjeshëm, si në volum ashtu edhe në shkallën e ndërtimit, kur Rama ndodhej në mandatin e tij të tretë si kryeministër.
Disa arkitektë e tregojnë përvojën e tyre në Shqipëri me një çiltërsi befasuese. Një prej tyre është austriaku Chris Precht, i cili thotë se u kontaktua nga kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në Instagram. Studio e tij ka projektuar disa ndërtime të mëdha në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit, përfshirë edhe projektin e shumëdebatuar “Eden”, një strukturë në oborrin e Kryeministrisë.
Alejandro Aravena, arkitekt i njohur nga Kili, thotë gjithashtu se është ftuar drejtpërdrejt nga Rama.
“Benedetta Tagliabue [arkitekte spanjolle] më shkroi për të më pyetur nëse pranoja që numri im i kontaktit t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë: ‘Sigurisht’. Pesë minuta më pas më telefonoi kryeministri dhe më pyeti nëse mund të vija në Tiranë për të folur mbi mundësinë e një projekti,” shkruan Aravena, i cili drejton studion “Elemental”. Projekti i tij, një kullë 300 metra ngjitur me atë që njihet si Mali i Tiranës, është më i larti i projektuar deri tani në kryeqytet.
Studioja gjermane BOLLES+WILSON ka punuar në Tiranë që në kohën kur Rama ishte kryetar bashkie dhe, sipas përshkrimit në libër, një investitor shqiptar i kishte vënë ata në kontakt. Projekti që doli më pas ishte ndërhyrja në fasadën e një kulle në ndërtim, e cila, sipas rrëfimit të tyre, “nuk kishte përmbushur pritshmëritë e kryebashkiakut”.
Të marra veçmas, këto dëshmi mund të lexohen si shenja të prirjes së Ramës për arkitekturë cilësore. Por të vendosura bashkë, ato tregojnë një model problematik, ku arkitektët e huaj nuk hyjnë përmes një tregu të lirë e konkurrues, por përmes një rrjeti ku kryeministri dhe institucionet pranë tij shfaqen si drejtues, ftesues ose ndërmjetës.
Për Lubonjën, në këtë kuptim, “The Albanian Files” nuk është vetëm një libër për arkitekturën, por edhe një dokument politik dhe një arsye për hetime të mëtejshme.
Ai këmbëngul se projektet e mëdha duhet të shqyrtohen në lidhje me interesat private, ndryshimet ligjore të bëra për to dhe paratë kriminale që, sipas tij, janë përdorur për t’i ngritur.
Lubonja thotë se “The Albanian Files” tregon po ashtu se një pjesë e këtyre projekteve—përfshirë edhe resortin me 5 yje të propozuar nga Jared Kushner—ishin planifikuar që përpara ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
“Këto projekte ekzistonin para se të ndryshohej ligji, biznesmenët e dinin dhe kjo është provë e kapjes së shtetit”, theksoi Lubonja.
Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e sheh librin si dëshmi të një mënyre qeverisjeje joformale, ku institucionet nuk e kontrollojnë procesin, por vetëm e vulosin atë.
“Është një lloj shfaqjeje e një deliri madhështie të një kryeministri që e quan veten mbi ligjin,” tha Muçi për BIRN.
“Institucionet janë aty për të certifikuar marrëveshjet informale”, shtoi ai, duke akuzuar kryeministrin se luan rolin e ndërmjetësit dhe duke pohuar se studiot e huaja të arkitekturës kanë gjetur në Shqipëri një vend “ku mund të lëshojnë fantazinë, duke kapërcyer çdo normë urbanistike”.
Jo thjesht çështje shijeje
Të dhënat që BIRN ka siguruar përmes intervistave me arkitektë dhe investitorë vendas tregojnë se ftesat për studiot e huaja vijnë me një kosto shumë të lartë, të paktën 10 herë më të madhe se çmimet e tregut, dhe këto shpenzime u kalohen blerësve fundorë.
Kjo ka prodhuar edhe një sistem hierarkik privilegjesh për studiot ndërkombëtare dhe partnerët e tyre në Shqipëri, i cili lidhet drejtpërdrejt me suksesin e marrjes së lejeve të zhvillimit ose ndërtimit në Këshillin Kombëtar të Territorit, KKTU.
Nëse mesatarja e projektimit lëviz nga 7-10 euro për metër katror, studiot e huaja faturojnë deri në 60 euro për metër katror, duke përfshirë edhe pagesat për studiot vendase. Në varësi të sipërfaqes së ndërtimit, kostot e projektimit shkojnë nga 300 mijë deri në 2 milionë euro.
Megjithatë, për shumë biznesmenë të ndërtimit, kjo shihet si një investim i sigurt.
Adjon Hanxhari, pronari i kompanisë “Hanxhari Group”, shpenzoi 120 mijë euro për një studio vendase projektimi për një kompleks turistik në Vlorë, por projekti u rrëzua nga KKTU. Tani ai i është rikthyer sërish nismës, këtë herë me një studio të huaj arkitekturore pas shpinës.
“M’u ofrua një studio lokale që më tha: ‘Kemi arkitektin e duhur për rastin tënd’”, tha Hanxhari në një bisedë telefonike me BIRN. Për të, arkitekti i huaj është garanci për cilësinë.
“Arkitektët e huaj janë më dinjitozë. Projektet e tyre janë më të detajuara dhe parashikojnë edhe rrezet e diellit”, tha Hanxhari, duke pretenduar se studiot shqiptare e kishin lënë në baltë.
“The Albanian Files” sjell më shumë detaje mbi projektin që synon të zhvillojë Hanxhari, një kompleks hotelerie mbi një shpat shkëmbor që zbret thikë drejt bregdetit të Vlorës dhe që është quajtur “Vlora Calligraphy”.
Ky projekt po zhvillohet nga arkitekti nga Koreja e Jugut, Minsuk Cho, themelues i Mass Studies, i cili gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë në gusht 2024 u takua me drejtoreshën e AZHT-së, Adelajda Roka, që i prezantoi disa projekte potenciale ku mund të përfshihej.
Cho shkruan në libër se, i shoqëruar nga Adelajda dhe një koleg i tij, është takuar edhe me kryeministrin Rama, me të cilin ka folur për faktin se Shqipëria dikur kishte qenë “Koreja e Veriut e Europës”.
Në një moment, ai shkruan se Rama e pyeti edhe për gjurmën e sipërfaqes së ndërtimit që klienti synonte të ngrinte.
Sipas Cho-s, pasi dëgjoi përgjigjen, Rama bëri menjëherë llogaritjet në mendje dhe arriti në përfundimin se ajo ishte me shumë gjasë tepër e madhe për vendin.
Arkitekti Minsuk Cho nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN, ndërsa partneri i tij lokal Genti Shtëmbari, themelues i studios Artech, mohoi që kontakti të kishte ardhur nga zyrat e qeverisë.
“Ne e kemi kërkuar bashkëpunimin dhe punojmë me disa studio të huaja, sepse bëhet fjalë për projekte të mëdha dhe nuk i realizojmë dot vetëm”, tha Shtëmbari për BIRN.
Ai shtoi se arkitektët e huaj kërkohen nga vetë investitorët, pasi kjo i shton vlerë projektit të tyre. I pyetur për takimin e arkitektëve koreanë me Ramën dhe Rokën, Shtëmbari u përgjigj se nuk mund të fliste, pasi nuk kishte qenë i pranishëm.
Megjithatë, një arkitekt shqiptar i përfshirë në disa prej projekteve të “The Albanian Files” e quajti gjithë situatën absurde.
“Në AZHT nuk shkohet me projekt, por shkohet për takim”, tha ai në kushte anonimiteti, nga frika se publikimi i emrit do t’i dëmtonte biznesin dhe klientët me të cilët punon.
“Arkitektët e huaj duhen për të thyer ligjin, sepse Maliqi [Rama] u lejon atyre të bëjnë atë që studiove vendase nuk u pranohet kurrë”, shtoi ai.
Sipas tij, përzgjedhja e arkitektëve të huaj nuk lidhet vetëm me shijen apo me cilësinë, por me aksesin në vendimmarrje, që përcakton se cila parcelë ndërtohet dhe cila jo, si edhe intensitetin e ndërtimit.
“Janë si saçme që, kur i hedh me shotgun, përhapen në gjithë vendin. Por këto janë saçme që bien aty ku duhet, aty ku më pas miratohet leja”, përfundoi ai.
Dielli, hëna, ylli
Tre muaj pas telefonatës së pazakontë nga Tirana, kulla 44-katëshe e projektuar nga arkitekti amerikan Sam Chermayeff mori leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Objekti ka një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë, pikërisht aq sa i ishte premtuar arkitektit në bisedën telefonike me Rokën të përmendur në libër. Vendimi mban datën 31 korrik 2024 për objektin me titull “Sun Moon Star”, që sipas autorit përfaqëson një kremtim të përzierjes arkitekturore të Tiranës.
Kulla në rrugën “Asim Vokshi”, pranë Bulevardit të ri të Tiranës, do të shërbejë si ndërtesë banimi dhe hotelerie dhe po zhvillohet nga kompania Al-Point, në pronësi të Aleksandri Vasilit, një prej tre burrave të përshkruar si “our guys” nga arkitekti.
Ndryshe nga sa shkruan Chermayeff në libër, Vasili i tha BIRN se arkitekti i huaj ishte zgjedhur dhe ftuar prej tij për projektin “Sun Moon Star”.
“E kisha ndjekur punën e tij, e kisha studiuar, siç bëj edhe me arkitektë të tjerë, dhe e kam ftuar unë”, tha Vasili, i cili shtoi se edhe vetë është arkitekt në profesion.
Për Sam Chermayeff, kontaktet e drejtpërdrejta me drejtoreshën e AZHT-së dhe kryeministrin Rama nuk përbëjnë konflikt interesi.
Sipas tij, edhe në vende të tjera ndodh që institucionet që miratojnë lejet ose planet urbanistike të jenë në kontakt me arkitektët dhe investitorët.
“Shqipëria është e veçantë, por jo e veçantë në këtë rast”, tha ai, duke shtuar se qëndron pas punës së tij.
Sidoqoftë, Chermayeff pranoi se kërkesa e qytetarëve për më shumë përfshirje është e ligjshme, sidomos në sfondin e protestave dhe kritikave që ka ngjallur libri.
“Mendoj se njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë transparencë”, përfundoi ai.
