“Mbledh firma duke ofruar poste”, Basha i përgjigjet Berishës: Trillimet nuk ta zgjidhin hallin

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga “Foltorja” në Tropojë akuzoi kreun demokrat Lulzim Basha se po përpiqet të mbledhë vota duke ofruar poste drejtorësh dhe zv/ministrash në kabinetin e Edi Ramës.

Basha i është përgjigjur kësaj deklaratë përmes një postimi në “Twitter” ku shkruan se Berisha po përhap lajme të rreme dhe se demokratët do të shkojnë në Kuvendin e 18 dhjetorit sepse duan fitore dhe jo izolim të PD-së.

Më tej në postim Basha shkruan se Berishës nuk mund t’ia zgjidhë hallin asnjë trillim.

“Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më #18Dhjetor sepse duan #bashkimin jo përçarjen, duan #fitoren, jo izolimin e PD.

Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, shkruan Basha./albeu.com

 


Shtuar 1.12.2021 18:32