Rreth 828,000 punëtorë humbën mjetet e jetesës në tërmetet që goditën Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore në shkurt, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Shifrat e para tregojnë se në Turqi tërmetet shkaktuan një ulje të aktivitetit ekonomik të barabartë me punën e rreth 658,000 njerëzve, sipas vlerësimeve të kësaj agjencie të OKB-së. Në Siri, ku ekonomia dhe tregu i punës po paguajnë një çmim të rëndë për luftën civile 12-vjeçare, rreth 170,000 punëtorë humbën punën për shkak të tërmeteve.
Pa ndihmën urgjente dhe të synuar, varfëria, puna e padeklaruar dhe puna e fëmijëve rrezikojnë të rriten, paralajmëron ILO.
“Krijimi i vendeve të punës është jetik për të përballuar me efektivitet këtë fatkeqësi”, komentoi në njoftimin e tij Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës, Gilbert Hungbo.
“Njerëzit mund të fillojnë të ndërtojnë përsëri jetën e tyre vetëm nëse gjejnë përsëri mjetet e mbijetesës. Ne u detyrohemi atyre që humbën aq shumë në tërmet të sigurojmë që parimet e drejtësisë sociale dhe punës së denjë të shoqërojnë procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit”, shtoi ai.
ILO vlerëson se këta punëtorë do të humbasin mesatarisht rreth 230 dollarë në muaj në Turqi për sa kohë që dështimet e tregut vazhdojnë. Në provincat e prekura nga tërmetet, shumica e 4 milionë punëtorëve janë të punësuar në bujqësi, prodhim, tregti dhe shërbime të tjera. Në Siri këtë situatë e përjetojnë afërsisht 154,000 familje, pra 750,000 njerëz dhe 35,000 biznese shumë të vogla dhe të mesme janë prekur.
Javën e kaluar donatorët ndërkombëtarë premtuan 7 milionë euro ndihmë për të prekurit në Turqi dhe Siri. Që nga tërmeti i 6 shkurtit, më shumë se 56,000 njerëz janë vrarë, ndërsa dëmet i kalojnë 100 miliardë euro. /albeu.com