Mbani qerpikë artificialë? Kirurgu i syve bën paralajmërimin

Ndërsa shumë femra përdorin qerpikë artificialë kur zbukurohen, është e rëndësishme të dini se ka edhe paralajmërime shëndetësore të cilat duhet t’i keni parasysh. Media britanike transmeton mendimin e ekspertëve të cilët theksojnë rrezikun e përdorimit të qerpikëve artificialë dhe zgjatimeve për qerpikë.

Me siguri nuk mendoni dy herë kur vendosni qerpikët artificialë, shkruan “The Sun. Dr Elizabeth Hawkes, kirurge kozmetike dhe e syve, thotë se qerpikët artificialë dhe ekstensionet mund të jenë një kërcënim serioz për shëndetin tonë.
Dr. Hawkes paralajmëron që ekstensionet mund të shkaktojnë rënie të qerpikëve, ndërsa ato artificiale mund të rrisin rrezikun e infeksioneve.

– Trendi i bartjes së qerpikëve artificialë është rritur në mënyrë dramatike viteve të fundit, ndërkohë që shumë femra mendojnë se është në rregull t’i veshin çdo ditë – thotë doktoresha dhe shton:

– Unë do të sugjeroja që qerpikët artificialë t’i lëmë për raste të veçanta, dhe jo për përdorim të përditshëm – tha Hawkes dhe paralajmëroi se mbajtja afatgjatë mund të dëmtojë sytë dhe të shkaktojë infeksione si blefariti – qepallat e ënjtura dhe kruarje.
Kur bëhet fjalë për zgjatimet, mjekja thotë se fillimisht duhet të përcaktojmë nëse qerpikët tanë natyralë janë mjaft të fortë për të mbështetur zgjatimet. Gjithashtu, thotë ajo, ekziston rreziku për të qenë alergjik ndaj ngjitësit të përdorur për t’i mbajtur ato në vend. Ngjitësi mund të përmbajë përbërës toksikë si formaldehid dhe latex.

Dr. Elizabeth thekson se është e rëndësishme të kujtojmë se qerpikët tanë janë aty për një arsye të mirë, se ata kryejnë një punë jetike duke mbrojtur sytë tanë dhe ndihmojnë për të zmbrapsur çdo gjë që vjen në sy që mund ta dëmtojë atë, kështu që është thelbësore t’i mbani shëndetshëm.


Shtuar 7.12.2022 23:08