Presidenti Joe Biden nuk ka në plan të shkarkojë Sekretarin e Mbrotjes Lloyd Austin për shkak të mbajtjes sekret të shtrimit të tij në spital, tha të hënën Shtëpia e Bardhë, në një kohë që drejtues të lartë republikanë po bëjnë thirrje për largimin e tij nga detyra.
Zoti Austin, i cili për nga hirearkia, është pas Presidentit Biden, në zinxhirin komandues të ushtrisë amerikane, e mbajti sekret për ditë të tëra si për Presidentin edhe për publikun, faktin që u vu nën kujdes mjekësor në 1 janar.
“Nuk ka asnjë plan tjetër, përveç se Sekretari Austin të vazhdojë të jetë në këtë detyrë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.
Po të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, tha se Presidenti Biden vazhdon të ketë “besim të plotë” tek zoti Austin mes pikëpyetjeve të ngritura nga ligjvënësit mbi mbajtjen të fshehtë nga shefi i Pentagonit të faktit se ishte shtruar në spital.
“Presidenti ka besim të plotë, vazhdon të ketë besim te Sekretari Austin,” u tha zëdhënësja Jean-Pierre gazetarëve ndërsa Presidenti Biden udhëtonte për në Karolinën e Jugut. Ajo tha se Presidenti Biden bisedoi me zotin Austin të shtunën dhe e vlerësoi faktin që ai mori “përgjegjësinë e plotë” mbi mosinformimin e Shtëpisë së Bardhë për shtrimin e tij në spital.
Të dielën, Pentagoni dha detaje të reja në lidhje shtrimin e zotit Austin, duke thënë se ai iu nënshtrua një trajtimi mjekësor më 22 dhjetor dhe u kthye në shtëpi një ditë më pas. Sipas Pentagonit, Sekretari Austin u vu nën kujdesin intensiv më 1 janar për shkak të dhimbjeve të forta. Ai vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe një ditë më parë, Pentangoni njoftoi se nuk kishte një datë të saktë se kur ai mund të dalë nga spitali.
Pentagoni bëri publik këto informacione, në një kohë që anëtarët e të dy partive në Kongres shprehën shqetësime të forta për mbajtjen të fshehtët të shtrimit të tij dhe faktit që presidenti dhe udhëheqës të tjerë të lartë nuk u vunë në dijeni për një gjë të tillë, ditë të tëra.
Deklarata e lëshuar nga gjeneralmajori i Forcave Ajrore Pat Ryder, megjithatë, nuk jepte ndonjë detaj në lidhje me ndërhyrjen mjekësore apo se çfarë ndodhi realisht të hënën e shkuar, që detyroi vënien në kujdes intensiv të Sekretarit Austin, në Spitalin ushtarak Walter Reed në Meriland.
Mos informimi mbi shtrimin e tij në spital, i Presidentit Biden, Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo drejtues të tjerë të lartë të Pentagonit, për ditë me radhë, pasqyron një mungesë të pazakontë të transparencës rreth sëmundjes së tij, seriozitetit të gjendjes së tij shëndetësore dhe datës së daljes së tij nga spitali. Kjo mungesë transparence në një kohë kur Shtetet e Bashkuara përballen me një sërë krizash të sigurisë kombëtare bie ndesh me praktikat normale të presidentit, zyrtarëve të tjerë të lartë dhe anëtarëve të kabinetit amerikan.
Zëdhënësi i Pentagonit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Nënsekretarja e Departamentit të Mbrojtjes Kathleen u njoftuan në datën 4 janar, se ai ishte shtruar në date 1.
Pasi u njoftua, Nënsekretarja nisi përgatitjet mbi komunikimet me Kongresin dhe planifikoi kthimin në Uashington. Ato ditë, ajo ndodhej në Porto Riko, por i kishte të gjitha komunikimet e nevojshme për të kryer disa nga detyrat e Sekretarit, të martën.
Pentagoni nuk tha nëse zonjës Hicks iu dha një shpjegim të martën përse ajo po merrte disa nga detyrat e Sekretarit Austin, por transferimet e përkohshme të autoritetit nuk janë të pazakonta dhe shpesh bëhen pa shpjegime të hollësishme. Zonja Hicks vendosi të mos kthehej pasi u informua se Sekretari Austin do të rimerte plotësisht përgjegjësitë e detyrës të premten.
Presidenti Biden u njoftua mbi shtrimin në spital të Sekretarit Austin, të enjten, nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, thanë tre burime që ishin në dijeni të çështjes dhe folën në kushte anonomiteti me agjencinë e lajmeve Associated Press.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, Sekretari Austin mori përgjegjësinë për vonesën e njoftimit të publikut mbi gjendjen e tij shëndetësore.
“E kuptoj që unë mund të kisha bërë një punë më të mirë lidhur me informimin e publikut. Zotohem se do të bëj një punë më të mirë në këtë drejtim”, tha ai përmes deklaratës, duke pranuar shqetësimet për mungesë transparence. “Por është me rëndësi të thuhet se kjo ishte një ndërhyrje mjekësore e imja dhe unë marr përgjegjësi të plotë për vendimet mbi njoftimin e publikut për këtë çështje”, shtoi ai.
Zoti Austin, 70 vjeç, vazhdon të jetë shtruar në spital dhe zyrtarët nuk kanë qenë në gjendje të thonë se kur do të mundë të dalë. Në deklaratën e tij, zoti Austin tha se po përmirësohet dhe mezi pret të kthehet së shpejti në Pentagon, por nuk dha detaje të tjera rreth sëmundjes së tij.
Senatori republikan Roger Wicker tha se ky episod gërryen besimin tek administrata e Presidentit Biden dhe i bëri thirrje departamentit të Mbrojtjes që t’u sigurojë ligjvënësve një “pasqyrë të plotë të fakteve “.
“Jam i lumtur të dëgjoj se Sekretari Austin është në gjendje më të mirë dhe i uroj shërim të shpejtë,” tha zoti Wicker përmes një deklarate. “Megjithatë, fakti mbetet, Departamenti i Mbrojtjes mbajti sekret gjendjen e tij shëndetësore. Kjo është e papranueshme”, tha ai.
Nuk janë vetëm republikanët ata që po ngrenë alarmin. Në një deklaratë të përbashkët, ligjvënësi republikani Mike Rogers dhe ai demokrati Adam Smith, thanë se “ishin të shqetësuar mbi mënyrën se si u menaxhua mbajtja sekret e gjendjes shëndetësore të Sekretarit”.
“Transparenca është jashtëzakonisht e rëndësishme,” thanë dy ligjvënësit. “Zoti Austin duhet të japë detaje shtesë mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe procesin e vendimmarrjes”.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehu mbështetje për zotin Austin gjatë një konferencë për shtypin, në Katar, të dielën.
“Ai është një udhëheqës i jashtëzakonshëm për vendin. Mezi pres ta shoh plotësisht të rikuperuar dhe të bashkëpunojmë krah për krah gjatë këtij viti,” tha ai.
Ish-presidenti Donald Trump, tha të dielën mbrëma se Sekretari Austin duhet të shkarkohet për “sjelljen e tij të pahijshme profesionale dhe për mospërfillje të detyrës”. “Ai u zhduk për një javë dhe askush, duke përfshirë shefin e tij, Joe Biden, nuk kishte asnjë të dhënë se ku ishte, apo ku mund të ishte ai”, shkroi ish-presidenti Trump në rrjetin Truth Social.
Zëdhënësi Ryder tha se Sekretari Austin është në gjendje të përmbushë të gjitha detyrat e tij, të ketë komunikime të sigurta nga spitali Walter Reed dhe se është në komunikim të vazhdueshem me stafin e ngushtë, për t’u njohur me zhvillimet e fundit dhe për të dhënë udhëzimet e nevojshme.
Shoqata e Shtypit në Pentagon, e cila përfaqëson mediat që ndjekin zhvillimet atje, i dërgoi një letër proteste të premten zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder dhe ndihmës sekretarit për marrëdhëniet me publikun, Chris Meagher, mbi mungesën e transparencës .
Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë qenë më transparentë rreth shtrimit të tyre në spital. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrrick Garland, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje mjekësore në vitin 2022, informoi zyrën e tij dhe publikun një javë para ndërhyrjes mjekësore mbi ditën se kur do të dilte nga spitali dhe kur do të kthehej në punë.