Kamerat e vendosura nga eksponentë të krimit që janë hequr ditët e fundit gjatë operacionit “Fijet” janë përdorur për shumë vrasje.
Një prej këtyre rasteve është edhe vrasja e tre-fishtë e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha të cilët u ekzekutuan mesditën e 17 Korrikut në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Sakaq mësohet se një makinë tip Volkswagen Polo e bardhë dyshohet se dha informacion tek vrasësit për lëvizjen e automjetit ku udhëtonin shënjestrat.
Kjo makinë është fiksuar nga disa kamera sigurie teksa ka vezhguar lëvizjet e viktimave nga nje servis automjetesh në zonën e “Treshit” në Kamzë e deri në afërsi të mbikalimit.
Dyshohet të kenë qenë të paktën 2 persona që kanë luajtur rolin e informatorëve të vrasësve. Pasi ka servirur informacionin tek atentatorët makina tip Polo e bardhë me targa shqiptare të vjedhura, dyshohet se është larguar në drejtim të Rinasit.