Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi masa financiare, përkatësisht tw ngrijw pasurinë e pesëmbëdhjetë shtetasve të dyshuar për veprime që kanë lidhje me terrorizmin dhe përhapjen e armëve për shkatërrim në masë. Këta shtetas dyshohet të kenë qenë të përfshirë në vepra terroriste apo të kenë ndihmuar financiarisht përmes pjesëmarrjes në ushtri të huaja, njësitë paraushtarake ose policore në vende të huaja, më saktësisht në Siri.
Vendimi i qeverisë i marrë në një seancë të mbajtur para pak javësh u publikua në Gazetën Zyrtare të datës 19 shtator, 2022 dhe një ditë më pas nga Drejtoria për Zbulim Financiar.
Në këtë listë radhiten emrat: F. Rustemi nga Hasanbegu i Shkupit, A. Latifi nga Shkupi, A. Ismaili nga Shkupi, O. Ramadani nga Shkupi, O. Deralla nga Gostivari, F. Ramadani nga Kumanova, B. Shaqiri nga Shkupi, S. Zhupani nga Gostivari, E. Avmedovski nga Struga, E. Iseni nga Shkupi, J. Ismaili nga Shkupi, A. Kamberi nga Shkupi, N. Ametov nga Shkupi, A. Bela nga Shkupi dhe S. Idrizi nga Kumanova.
Shumica e tyre janë të moshës nën 30 vjeç. Veprat e tyre janë regjistruar nga viti 2013 deri 2016. Disa nga ta janë parë në kalimet kufitare të Maqedonisë së Veriut në përpjekje për t’u larguar drejt Sirisë. Të gjithë ngarkohen për veprën: pjesëmarrje në ushtri të huaj apo për organizim terrorist. Sipas njoftimeve të publikuara nga Drejtoria për Zbulim Financiar, këta persona ndodhen jashtë shtetit.
Një pjesë e tyre i ishte bashkuar grupit militant “Shteti Islamik – ISIS” apo kishin rekrutuar dhe ndihmuar financiariasht dërgimin e luftëtarëve në ISIS. Kundër tyre janë ngritur urdhër-arreste ndërkombëtare. Kjo është hera e parë që qeveria në Shkup bën publike një listë me emra të personave që kanë luftuar në Siri apo gjetiu.
Profesori Qebir Avziu nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, i njohur si ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës se për të gjithë personat të cilët kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik dhe për të cilët ka prova, detyrimisht Kodi Penal parasheh dënimin e tyre me burg, ndërsa rehabilitimi dhe risocializimi i tyre parashihet të bëhet gjatë periudhës së kryerjes së dënimit.
“Mirëpo, praktika tregon se te këta persona nuk është bërë rehabilitimi dhe në të vërtetë ata kanë ndikuar në ngritjen e vazhdueshme të pikëpamjeve radikale të Islamit. Praktika ka treguar se ka rrezik nga këta persona, siç ishte rasti me disa që vuajtën burg por më pas organizuan një akt terrorist në Maqedoni, por shërbimet arritën që ta zbulojnë me kohë këtë grup”, thotë eksperti.
Ai vlerëson se me dobësimin e Shtetit Islamik, rastet e terrorizmit janë zvogëluar gjithkund në Evropë dhe rreziku në Maqedoninë e Veriut është më i ulët në këtë fazë, po ashtu. Por, zoti Avziu thotë se rreziku nuk mund të shuhet pasi “idealizmi, frymëzimi, ideologjia fetare është çështje problematike dhe nuk çrrënjoset lehtë”.
Ai thekson se ka qytetarë nga Maqedonia e Veriut në një kamp të njohur të kontrolluar nga forcat kurde dhe që nuk mund të riatdhesohen.
Nga ana tjetër, profesori Mitasin Beqiri, i cili është dekan i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin FON të Shkupit, i tha Zërit të Amerikës se këta persona të cilët shkojnë në konfliktet ushtarake të Lindjes së Mesme, zakonisht kthehen të dëshpëruar, se janë në një gjendje ekonomike të rënduar dhe se duhet të kërkohen mënyra për pengimin e tyre për t’iu bashkuar organizatave të huaja militante.
“Mungon bashkëpunimi i qendrave lokale, të komunitetit dhe atyre të jurisprudencës. Është gabim që ata të dënohen pasi të jenë kthyer, sepse ata tanimë janë penduar për veprën e tyre. Duhet të gjenden forma për rehabilitimin dhe risocializimin e tyre”, thotë eksperti.
Para pesë vjetësh qeveria miratoi Strategjinë kombëtare për luftë kundër terrorizmit dhe planin për riintegrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e personave dhe familjeve të tyre të kthyer nga luftërat e huaja.
Vlerësohet se nga Maqedonia e Veriut për në konfliktet e Lindjes së Mesme kanë shkuar mbi 150 veta. Sipas të dhënave të autoriteteve të sigurisë, deri më tani janë kthyer 83 persona. Një numër i tyre u gjykua, teksa dënimet për këto vepra sipas ligjeve të vendit sillen nga 6 deri në 9 vjet heqje lirie. Ndërkohë, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e luftëtarëve apo shtetasve të Maqedonisë së Veriut të vrarë në luftërat në Siri dhe Irak./VOA/