Prej sot Maqedonia e Veriut zyrtarisht merr për një vit kryesinë e radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut thotë se gjatë Presidencës së OSBE-së do të përqendrohet tek siguria njerëzore në një periudhë kur rajoni dhe bota po përballen me pasiguri dhe paqëndrueshmëri.
Bujar Osmani, Ministri i Jashtëm theksoi synimet për ndërmarrjen e misioneve në terren dhe mbështetjen e veprimtarive me qëllim përparimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Ai vuri në dukje fokusin e Presidencës së OSBE-së për ripërtëritjen e dialogut dhe arritjen e paqes në rajonet e krizës, para së gjithash në kontekstin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
OSBE përfshin 57 shtete nga tre kontinente.