Maqedonia e Veriut merr sinjale pozitive nga Bullgaria

Maqedonia e Veriut shprehu gatishmërinë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë peng nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, bëri këtë zotim një ditë pasi Bullgaria mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Partia fituese në Bullgari “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka thënë se do të ketë qasje të re ndaj Maqedonisë së Veriut, por, për të formuar Qeverinë e re, ajo do të duhet të bëjë koalicion me së paku tri parti të tjera.

Maqedonia e Veriut, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i ka plotësuar kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por çështja është bllokuar nëntorin e kaluar në Këshillin Evropian, për shkak të kundërshtimeve të Bullgarisë.

Kjo e fundit insiston së pari në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar, sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Së voni, Bullgari ka kërkuar edhe njohjen me Kushtetutë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut hedh poshtë pretendimet e Bullgarisë se gjuha dhe identiteti maqedonas ekzistojnë pas vitit 1945 dhe para kësaj periudhe ato kishin “rrënjë bullgare”. Në korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi një rezolutë që ia ndalon Qeverisë që të diskutojë për çështjen e identitetit, gjuhës dhe të kaluarës historike.

Osmani takoi të hënën në Bruksel homologun e tij bullgar, Svetlan Stoev, dhe, përmes një postimi në Facebook, tha se pret që kontaktet mes tyre të intensifikohen, me qëllim të gjetjes së “zgjidhjeve më të mira”.

“Dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë janë treguesit më të mirë të përgjegjësisë dhe përkushtimit për paqen dhe stabilitetin, perspektivat e rajonit, si dhe ballafaqimin e suksesshëm me të gjitha llojet e sfidave me të cilat përballemi së bashku”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.

Kiril Petkov, bashkëkryetar i partisë “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka thënë se kjo parti ka një qëndrim kategorik se çfarë duhet bërë në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, duhet të formohen grupe punuese nga të dyja vendet, në të cilat duhet të përfshihen jo vetëm historianët, por edhe njerëz nga biznesi, kultura dhe arsimi.

“Grupet punuese nuk do të diskutojnë vetëm historinë, por edhe gjithçka që mund t’i përmirësojë marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Petkov.

Shekerinska: Mesazhet nga Sofja, inkurajuese për kontestin

Kjo deklaratë nxiti reagime pozitive në Shkup.

“Janë inkurajuese njoftimet nga Qeveria e re e mundshme bullgare se do të ketë qasje të re ndaj Maqedonisë së Veriut. Edhe ne do të kemi të njëjtën frymë të fqinjësisë së mirë, çiltërsi dhe të njëjtën dëshirë për të gjetur zgjidhje dhe për të ecur përpara”, tha ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska.

“Nëse ka gjysmën e kësaj fryme në anën bullgare, siç e shohim këto ditë, mund të bëhet një kthesë, pasi një qasje e re do të jetë e dobishme si për ne, ashtu edhe për palën bullgare”, tha Shekerinska.

Naumovski: Gjithçka varet nga përbërja e Qeverisë së re

Duke komentuar deklaratën e mandatarit të mundshëm për formimin e Qeverisë së re bullgare, Vasko Naumovski, njohës i çështjeve ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se Petkov po tregohet shumë më i matur se politikanët e tjerë bullgarë – gjë që, sipas tij, jep shpresë për një lëvizje të pozicioneve apo edhe për kapërcim të dallimeve mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian do të mbajë një samit muajin e ardhshëm, në të cilin mund të merret vendim për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë.

“Edhe pse periudha deri në dhjetor është e shkurtër, megjithatë, besoj se ka gjasa të vogla për të bërë një hap para. Por, e gjitha kjo do të varet nga përbërja e Qeverisë së re [bullgare], se cilat parti do të përfshihen në qeveri. Konsideroj se gjithçka varet nga koalicioni i ri qeveritar, nëse do të ketë ose jo qëndrim të unifikuar për vendin tonë. Sidoqoftë, sinjale pozitive ka dhe duhet të presim se çfarë do të ndodhë”, tha Naumovski.

Sipas rezultateve preliminare në Bullgari, “Ne vazhdojmë ndryshimin”, një parti e re e qendrës, që udhëhiqet nga dy ish-ministra të këtij vendi, Kiril Petkov dhe Asen Vasilev, ka fituar rreth 26 për qind të votave, ndërsa e dyta, me rreth 23 për qind, është radhitur partia GERB e ish-kryeministrit Boyko Borisov.

Forcë e tretë politike është Partia Socialiste, me 11 për qind të votave, ndërsa pas saj “Bullgaria Demokratike” me 10 për qind dhe Partia “Ka një popull të tillë” me afër 9 për qind të votave.

Një rezultat i këtillë, sipas mediave bullgare, imponon nevojën që partia fituese të hyjë në koalicion me të paktën tri parti politike: Socialistët, Demokratët bullgarë dhe Partinë “Ka një popull të tillë”.

Kuvendi i Bullgarisë numëron 240 deputetë dhe për formimin e Qeverisë nevojitet një shumicë prej së paku 121 deputetësh.

Zgjedhjet parlamentare të 14 nëntorit në Bullgari ishin të tretat këtë vit, pasi në dy ciklet e mëparshme, nuk prodhuan rezultat të qartë zgjedhor, duke pamundësuar formimin e një qeverie të qëndrueshme./REL


Shtuar 15.11.2021 15:04