Nga partia “Alternativa” në Maqedoninë e Veriut thonë se qeveria funksionon normalisht dhe se nuk ka arsye për ndonjë rikonstruktim pas shkrimeve në disa media se me dorëheqjen e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale do të ketë ndryshime ku do të përfshihen edhe ministrat e Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës nga radhët e partisë “Alternativa”.
“Për momentin Qeveria funksionon normal dhe nuk ka arsye për ndonjë rikonstruim. Ministrat tanë Bekim Sali dhe Admirim Aliti janë ndër kuadrot më të suksesshëm, jo vetëm në Alternativë, por edhe në gjithë Qeverinë në përgjithësi. Për këtë, nuk shohim arsye për hapjen e temave të tilla të panevojshme”, thonë nga “Alternativa”.
Çështja e rikonstruktimit të vogël u hap pas dorëheqjes që paralajmëroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale nga radhët e PLD-së Goran Milevski, i cili sot pritet ta dorëzojë dorëheqjen në Qeveri.