Argjentina prerë biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi fitoi 3-1 përballë Zvicrës në një duel dramatik që u zgjidh vetëm pas vazhdimeve. Në fazën tjetër, kampionët e botës do të përballen me Anglinë.
Të lidhura
None found
Skuadra argjentinase hyri më mirë në ndeshje dhe gjeti avantazhin që në minutën e 10-të. Nga një goditje nga këndi e ekzekutuar nga Lionel Messi, Alexis Mac Allister u ngrit mbi të gjithë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Zvicra reagoi në pjesën e dytë, duke ushtruar më shumë presion ndaj kundërshtarit. Pasi Emiliano Martinez bëri një pritje fantastike ndaj një goditjeje me kokë të Dan Ndoyes, zviceranët arritën të barazonin në minutën e 67-të.
Ricardo Rodriguez shërbeu për Ndoyen, ndërsa ky i fundit goditi saktë nga brenda zonës dhe mposhti portierin argjentinas, duke vendosur shifrat në 1-1.
Pas barazimit, ndeshja u ndez edhe më shumë. Breel Embolo u përfshi në një episod kontrovers, teksa gjyqtari e ndëshkoi me karton të verdhë për simulim. Për sulmuesin zviceran ky ishte paralajmërimi i dytë në takim, çka solli kartonin e kuq dhe e la Zvicrën me dhjetë lojtarë.
Edhe pse me një futbollist më pak, Zvicra arriti të qëndrojë në lojë deri në fund të 90 minutave. Argjentina krijoi raste të mira për ta mbyllur takimin, ndërsa në minutat shtesë Lisandro Martinez iu afrua shumë golit, por portieri zviceran bëri një pritje të jashtëzakonshme dhe e dërgoi sfidën në vazhdime.
Në 30 minutat shtesë, Argjentina nuk reshti së kërkuari golin e fitores. Pas disa zëvendësimeve dhe dëmtimeve, çasti vendimtar erdhi në minutën e 112-të.
Jose Lopez pasoi shkurt për Julian Alvarez, i cili me një goditje fantastike e çoi topin në këndin e sipërm të portës për 2-1.
Në minutat e mbetura, Zvicra provoi të reagojë, por Argjentina e administroi epërsinë dhe vulosi kualifikimin, me golin e Lautaro Martinez në mintuat shtesë të pjesës së dytë të vazhdimeve.
Argjentina avancon më tej dhe në gjysmëfinale do të ndeshet me Anglinë.
