Mali i Zi dëbon një tjetër diplomat rus

Ministria e punëve të jashtme të Malit të Zi bëri të ditur të premten më 12 gusht se kishte shpallur ‘non grata’ një tjetër diplomat rus për shkak të aktiviteteve të tij që bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Një notë zyrtare mbi këtë vendim, në të cilin ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh për largimin nga territori i Malit të Zi, i është dorëzuar ambasadorit rus në Mal të Zi, Vladislav Maslenikovit.

Kjo e çon në gjashtë numrin e diplomatëve rusë të dëbuar nga Mali i Zi në gjashtë muajt e fundit. Në fillim të prillit, katër diplomatë rusë nga ambasada ruse në Mal të Zi u shpallën persona të padëshiruar.

Paraprakisht, më 4 mars, një diplomat tjetër nga ambasada ruse në Podgoricë ishte shpallur person i padëshiruar me arsyetimin se autoritetet e sigurisë vlerësonin se aktivitetet e tij janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Si masë reciproke, më 24 mars, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë shpalli person të padëshiruar një diplomat nga ambasada e Malit të Zi në Moskë.

Marrëdhëniet diplomatike midis Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar që nga viti 2014, kur Podgorica iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës për shkak të aneksimit të Krimesë.

Ato u rënduan më tej pas tentativës për ndryshim të dhunshëm të pushtetit në Mal të Zi në tetor 2016-të, për të cilën u akuzuan dy shtetasit rusë Eduard Shismakov dhe Vladimir Popov, si dhe tetë shtetas serbë. Ky rast lidhet me përpjekjen për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e NATO-s.

Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017-të, gjatë qeverisjes së Partisë Social Demokrate, e cila u kritikua ashpër nga Moska zyrtare./REL


Shtuar 12.08.2022 17:14