“Makineri leku”: Nga Tea tek Arbana Osmani, çmimet e frikshme për një reklamë në Instagram (FOTO LAJM)

“Instagrami” sot është kthyer në një biznes shumë fitimprurës për njerëzit e njohur të ekranit. Ka nga ata personazhe që ende paguhen me shifra modeste ose publikojnë foto të produkteve.

Por ky nuk është rasti i moderatoreve të njohura, Arbana Osmani apo Luana Vjollca. Luana Vjollca paguhet rreth 1200 € për një postim. Kryesisht, Luana reklamon kremëra ose produkte të ndryshme make up-i.

Në anën tjetër, moderatorja e “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana Osmani, paguhet rreth 1000€, dhe kryesisht janë reklama ushqimesh, duke qenë se të gjithë e dimë edhe pasionin e saj për gatimin. Deri më tani pagat e këtyre vajzave të ekranit janë të kuptueshme, por surpriza është Tea Trifoni, vajza që u bë e njohur në “Për’puthen”.

Tea kërkon 1500€ për postim, të cilin e mban vetëm 3 ditë në “Instagram”. Tea nuk ka një standard, por poston çdo produkt që i jep të ardhurat. Gjithsesi, sot në “Instagram” gjithsecili ia vendos vetë shifrën postimeve të tij nëpërmjet numrit të fansave që ka, kështu që jo të gjithë kanë të njëjtin standard.

Por si hyri në tregun e parave Luana Vjollca, në këto tre vjet muzikë dhe biznes përveç televizionit. Gati tre vjet më parë, Luana Vjollca e mori seriozisht muzikën për të fituar para prej saj, ndërkohë që i dashuri Krenar Çoçaj e mori nën menaxhim për ta kthyer muzikën e saj në biznes fitimprurës.

Ndonëse një çift që asnjëherë s’e konfirmoi lidhjen, prezantuesja Luana Vjollca dhe menaxheri i VIP-ave nga Kosova, Krenar Çoçaj, e pranuan deri diku publikisht në “Instagram” me një shkëmbim komentesh të nxehta, duke rritur kështu shikueshmërinë e saj në këtë rrjet social, që shërben si një burim parash më vete për Luanën.

Përveç romancës, të dy kanë pasur si qëllim futjen fuqishëm të Luanës në tregun muzikor me klipe dhe koncerte. Për herë të parë, dyshimet se Luana kishte nisur romancë të re dashurie me mikun e ngushtë të reperit Getoar Selimi u hodhën në 10 korrik të para disa viteve, kur ajo dhe Krenari festuan ditëlindjen e tij në Santorini.

Hera e fundit që Luana e konfirmoi në njëfarë mënyrë lidhjen me Krenarin, ishte në emisionin e saj kur tha se u qante hallin atyre që kishin lidhje në distancë, pasi edhe ajo vetë udhëtonte fundjavave për të takuar të dashurin. Ndërkohë, tashmë është bërë publike se ajo dhe Krenari do të martohen në vjeshtë, gjatë një ceremonie lukzoze VIP.

Ndërkohë, edhe Arbana Osmani, si mjeshtre gatimi, e ka kthyer “Instagramin” në biznesin e saj fitimprurës, me reklamimin e produkteve të gatimit. Ajo ka përfshirë në video dhe partnerin e saj, Eduart Grishaj, dhe dy djemtë, Jonin dhe Diellin, të cilët i ekspozon herë pas here në postimet e saj.

Ndërkohë që ajo ka bërë plane para lindjes së djalit që do t’i vërë në jetë së shpejti. Ato përfshijnë një ceremoni dasme me të ftuar VIP dhe ëndrrën që së fundi ka marrë formë vërtet, një restorant luksoz.

Partneri i saj, Eduart Grishaj, i ftuar në programin “Pushime on Top”, rrëfeu pak kohë më parë detaje nga jeta e tyre.

“Dasmën nuk e di kur do ta bëjmë, por do ta bëjmë në Bogë. Arbana është pro gjërave të bukura dhe Boga futet te gjërat e bukura”, tha ai.

Eduarti foli dhe për ndjesitë që përjetoi kur mori vesh se do të bëhej baba.

“Në fillim ishte shumë emocionuese. Më pas, me kalimin e kohës, kthehet çdo gjë në normalitet dhe pastaj fillojnë zënkat pse ma bleve këtë shalqinin kështu, po domatet pse s’i more të fshatit dhe thua kur po vjen momenti që të iki kjo periudha. A ka qenë periudhë sfiduese kjo për mua? Jo, ka qenë periudhë shumë e mirë. Unë vazhdoj dhe ha gjëra të mira të gatuara nga Arbana. Sepse unë vetëm i shijoj gatimet dhe maksimumi shkoj deri në market për të marrë produktet. Kaq bëj unë”, tha regjisori.

E nuk ka shumë mistere në këtë pikë, pasi me postimet e tyre të gatimit të recetave të shumta, ata jo vetëm kanë shtuar numrin e ndjekësve, por edhe të fitimeve nga “Instagrami”. Dhe le ta mbyllim me Tea Trifonin, vajzën e “Për’puthen”, e cila pas heqjes së kileveve të tepërta, u kthye në vajzën më të përfolur për lidhjet e saj të komplikuara, nga Andi e deri te Bearti.

Fakti që Tea Trifoni është kthyer në një prej emrave më të përfolur në mediat rozë që prej hyrjes së saj në “Për’puthen”, shpjegon edhe çmimet që ajo i ka vënë vetës për pastime në “Instagram”.

Ajo është tepër aktive në rrjetet sociale, ku ndan me fansat mjaft detaje nga jeta personale. Së fundmi, Tea ka qenë e ftuar në festën e ditëlindjes së ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Fation Kuqarit. Ajo që u vu re ishte se shoqëruesi i saj, ishte gazetari i Enea Protopapa, me të cilin u dukën mjaft të afërt gjatë gjithë kohës.

Kujtojmë se kohë më parë, rrjetet sociale u mbushën me lajmet se Tea ka pasur një lidhje me të, për të cilat reagoi më pas edhe gazetari.

“Me Tean njihemi që nga koha kur kemi punuar së bashku. Kam përshtypjen se këto lajmet kanë marrë shkas nga një video në Youtube (pjesë nga emisioni). Në momentin kur po flitej për dashurinë, ne po ndiqnim rastin të dy në studio dhe duke qene se na pëlqeu ajo çka po flitej, u pamë në sy… ama, kjo ishte pa qëllime të tjera. Tea është super gocë dhe është me fat ai që e ka në krah!”, tha Enea.

Madje, me shaka, ai tha se “lidhja” e tyre zgjati vetëm 10 sekonda. Gjithsesi, komentuesit janë shprehur skeptikë, duke dyshuar në sinqeritetin e gazetarit në lidhje me Tea. Gjithsesi, edhe në rastin e Teas, shprehja “Shumë zhurmë për asgjë” zëvendësohet me shprehjen “Shumë zhurmë për para”./Panoramaplus.al


Shtuar 16.05.2021 12:01