Makinën plot emigrantë të paligjshëm, 40-vjeçari i braktis dhe i ikën policisë, shpallet në kërkim

Policia ka shpallur në kërkim një 40-vjeçar në Kukës për transportim të emigrantëve të paligjshëm me qëllim kalimin e kufirit me Kosovë, kundrejt pagesës.

40-vjeçari ka ikur kur ka parë policinë, më pas ka braktisur mjetin dhe i është larguar syrit të policëve me këmbë. Policia e ka shpallur në kërkim.

Njoftimi:

Goditet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Transportonte 10 emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi me automjet, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, shpallet në kërkim 40-vjeçari.

Shërbimet e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë vijuar kontrollet për këtë qëllim.

Në vendin e quajtur “Ura e Drinit të Zi”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. M., i cili nuk i është bindur urdhrit të tyre, por është larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Breg Lum, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin transportonte 10 shtetas të huaj.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi D. M. do t’i ndihmonte shtetasit e huaj, që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit D. M., 40 vjeç, banues në fshatin Breg Lum, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.