Lufta në Ukrainë, Zelensky: Kemi rimarrë 6000 km katrorë nga Rusia

Forcat ukrainase kanë rimarrë edhe më shumë territor nga Rusia ndërsa vazhdojnë kundërofensivën e tyre, ka thënë presidenti i vendit.

Volodymyr Zelensky tha se trupat tani kanë rimarrë më shumë se 6,000 km katrorë nga kontrolli rus në shtator, në lindje dhe në jug.

Rusia ka pranuar humbjen e qyteteve kryesore në rajonin verilindor të Kharkiv, në atë që shihet nga disa ekspertë ushtarakë si një përparim i mundshëm në luftë.

Moska e përshkruan tërheqjen e trupave të saj nga rajoni ditët e fundit si një “rigrupim” me synimin për t’u fokusuar në rajonet Luhansk dhe Donetsk në lindje të Ukrainës.

Ky pretendim është tallur edhe në Rusi, me shumë përdorues të mediave sociale atje që e përshkruan tërheqjen e deklaruar si “të turpshme”.

Duke folur për BBC të hënën në mbrëmje, Mason Clark i institutit kërkimor me bazë në SHBA, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha se kjo ishte “një shkatërrim i plotë” i trupave ruse, të cilat u detyruan të linin shumë pajisje pas.

James Waterhouse i BBC tha se kjo ishte tërheqja më e rëndësishme ushtarake ruse që nga fushata e dështuar e saj pranë kryeqytetit Kiev në fund të marsit.

Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken tha se forcat ukrainase kishin bërë “përparim të rëndësishëm” në kundërsulmin e tyre, por shtoi se ishte shumë herët për të parashikuar rezultatin.

“Rusët mbajnë forca shumë të rëndësishme në Ukrainë, si dhe pajisje, armë dhe municione. Ata vazhdojnë t’i përdorin ato pa dallim jo vetëm kundër forcave të armatosura ukrainase, por civilëve dhe infrastrukturës civile siç kemi parë,” tha Blinken.

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt. Rusia ende mban rreth një të pestën e vendit./albeu.com