Themeluesi rus i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili ka qenë në mosmarrëveshje me udhëheqjen ushtarake për muaj të tërë, ka akuzuar forcat pro-ruse se po përpiqen të hedhin në erë njerëzit e tij.
Anëtarët e Wagner pothuajse janë tërhequr nga qyteti lindor i Ukrainës, Bakhmut, pasi pushtuan pjesën më të madhe të tij muajin e kaluar, duke pësuar humbje të rënda. Ata ia dorëzuan pozicionet e tyre njësive të ushtrisë së rregullt ruse.
Në postimin e tij në Telegram, Prigozhin pretendon se njerëzit e tij zbuluan 12 pika në pjesën e pasme ku zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kishin vendosur pajisje të ndryshme shpërthyese, duke përfshirë qindra mina antitank. Kur u pyetën pse, ata i thanë se ky ishte urdhëri që kishin marrë nga eprorët e tyre.
“Nuk ishte e nevojshme që ata të vendosnin këto eksplozivë për të penguar armikun pasi kjo zonë ishte në pjesën e pasme. Prandaj, mund të supozojmë se këto eksplozivë ishin të destinuara për njësitë e përparme të Wagner”, argumentoi ai.
Asnjë nga mjetet plasëse nuk shpërtheu dhe askush nuk u lëndua, sqaroi ai, duke shtuar: “Ne supozojmë se kjo ishte një përpjekje për fshikullim publik”.
Prigozhin, i cili shpesh është ankuar se njerëzve të tij nuk iu dhanë municion për sulmin Bakhmut, tha të mërkurën se ai u kishte kërkuar prokurorëve të hetojnë nëse zyrtarë të lartë në forcat e armatosura ruse kanë kryer ndonjë “krim” para ose gjatë luftës në Ukrainë.