Lufta në Ukrainë, gabimet që detyruan Putinin të fuste në veprim forcat bërthamore

The Economist

Pushtimi rus i Ukrainës nuk ka shkuar sipas planit. Në Kharkiv, qyteti i dytë i vendit, mbrojtja ukrainase duket se ka zmbrapsur një sulm të madh. Në jug, forcat e Vladimir Putinit kanë fituar territor, por jo në qytetat e mëdha të Ukrainës. Rreth Kievit, forcat ukrainase kanë penguar sulme të shumta.

Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, ka treguar një karakter sfidues. Ndryshe nga Putin, Zelensky ka besimin e një populli të mbushur me guxim dhe patriotizëm. Lufta është ende në javën e parë.

Presidenti i Rusisë mund të mbledhë rezerva të forcës ushtarake që mund t’i përdorë për të rrethuar qytetet ukrainase, përfshirë Kievin, me një kosto të tmerrshme për civilët dhe ushtarët e të dyja palëve. Është ende një luftë që Putin mund ta fitojë, pasi ai mund të vendosë në Kiev ose Kharkiv, kryeqyteti sovjetik i Ukrainës, një qeveri kukull.

Megjithatë, në momentin që Putin është i detyruar të përdorë armët bërthamore ai tashmë do të ketë humbur. Në Ukrainë, fryma patriotike e shtyrë nga shënjestrimi i qyteteve dhe banorëve të tyre tashmë ka siguruar që çdo qeveri që sundon në emër të tij do të shihet si e paligjshme, raporton abcnews.al

Duket gjithnjë e më e qartë se elita ruse është e tmerruar nga aventurizmi i tij paranojak. Nëse planet e Putin nuk shkojnë siç duhet në Ukrainë, do të fillojnë të shfaqen përçarje në regjimin e tij dhe aq më shumë populli rus do të vazhdoj të protestojë.

Putin mund të detyrohet të imponojë terror të një ashpërsie që Rusia nuk e ka parë për dekada.

Gabimi i parë i Putinit ishte nënvlerësimi i armikut të tij. Ndoshta ai i besoi propagandës së tij: se Ukraina nuk është një vend real por një vend i formuar nga Cia dhe që qeveriset nga mashtrues.

Gabimi më i madh i Putin ishte se ai besoi që Ukraina do të dorëzohej sapo të përballej me forcat ushtarake ruse.

Gabimi i dytë i Putinit ishte keqmenaxhimi i forcave të tij të armatosura. Forcat e tij ajrore deri më tani nuk kanë arritur të dominojnë qiejt. Ai është përpjekur të sigurojë popullin e tij se Rusia nuk është e përfshirë në një luftë, por vetëm atë që ai e quan një operacion “eleminimi”.

Ushtarët, të pasigurt për atë që supozohet të bëjnë, presin që të mirëpriten si çlirimtarë. Nëse ai urdhëron trupat të masakrojnë të ukrainasit në një numër të madh, ata mund të mos binden.

Dhe gabimi i tij i tretë ishte nënvlerësimi i Perëndimit.

Si një diktator që mund ta ketë të vështirë të kuptojë se besimi i njerëzve në demokraci është i vërtetë, ai pothuajse me siguri ka qenë i befasuar nga rritja e mbështetjes popullore për Ukrainën – mbështetja që i sheh londinezët të këndojnë himin ukrainas dhe Portën Brandenburgut në Berlin të veshur me ngjyrat blu dhe të verdhë të flamurit.

Të frymëzuar nga guximi ukrainas dhe të nxitura nga qytetarët e tyre, qeveritë perëndimore më në fund kanë gjetur vullnetin për të luftuar.

Ata me të drejtë janë përmbajtur nga veprimet e drejtpërdrejta ushtarake kundër Rusisë, siç është vendosja e një zone ndalim-fluturimi. Në vend të kësaj, në përpjekjen e tyre të tretë, më 26 shkurt, vendet ranë dakord për të vendosur saksione të ashpra kundër bankës qendrore të Rusisë dhe sistemit të saj financiar. Këto mund të bllokojnë aksesin në rezervat e vendit dhe të dëmtojnë bankat ruse.

Të nesërmen, Putin pasi u konsultua me shefat e tij ushtarakë, vendosi forcat bërthamore të vendit në gatishmëri të lartë.

Putin i ka barazuar sanksionet ekonomike me një luftë bërthamore.

Kjo nuk është vetëm e gabuar moralisht, por gjithashtu ngre perspektivën e një përshkallëzimi katastrofik. Dhe kjo nuk e bën të gabuar vendosjen e sanksioneve nga Perëndimi. Ashpërsia e veprimeve të Putinit është një dëshmi se sa i rrezikshëm është ai.

Në vend të kësaj, Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe të gjithë fuqitë bërthamore, përfshirë Kinën dhe Indinë duhet kundërshtojnë vendimin e Rusisë pasi kërcënimet bërthamore janë të papranueshme.

Në të njëjtën kohë, oficerët e lartë amerikanë duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me homologët e tyre rusë, duke i paralajmëruar se do të jenë përgjegjës për veprimet e tyre.

Bota nuk mund të lejojë që Putin të marrë sërish vendime të gabuara./abcnews.al


Shtuar 28.02.2022 15:00