Londra feston kurorëzimin e Mbretit Charles III

Rrugët e Londrës, kryeqytetit britanik, vendet e punës dhe hapësirat publike janë dekoruar për ceremoninë e kurorëzimit të mbretit britanik Charles III, që do të zhvillohet sot.

Më shumë se 2.200 të ftuar, duke përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende, si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III.

Festime dhe argëtime do të mbahen në gjithë vendin në datat 6-7 maj, e njohur si “Fundjava e kurorëzimit”, kurse më 8 maj do të mbahet një festë publike.

Ndërsa kënde të lojërave për fëmijë do të vendosen pothuajse në çdo park të Londrës, rrugët dhe sheshet e rëndësishme të qytetit do të jenë vendi i festimeve të veçanta që do të mbahen në ditën e kurorëzimit.

Përgatitjet janë duke u zhvilluar për ngjarjen “Big Meal” të së dielës në rrugët dhe parqet kryesore në lagjet Hammersmith, Fulham dhe Chiswick të qytetit përgjatë lumit Thames.

Aty ku do të mblidhen qytetarët për të festuar kurorëzimin e mbretit të ri, bashkitë dhe organizatat joqeveritare kanë ngritur tavolina ku do të shërbehen ushqimet, si dhe do të ketë edhe ambiente për fëmijët.

Rruga në Hammersmith, e njohur si “Rruga e Mbretit”, do të jetë e mbyllur për trafik në fundjavë dhe të hënën.

Rrugët më të famshme të Londrës, Oxford dhe Regent, gjithashtu janë dekoruar për festën e mbretit të ri. Disa dyqane në dy rrugë janë zbukuruar me flamuj.

Për ceremoninë janë gati edhe Mall Street, Sheshi Trafalgar dhe Sheshi i Parlamentit përballë Pallatit Buckingham, i cili do të jetë në qendër të kurorëzimit. Në këto tri pika, ku mijëra njerëz do të ndjekin paradën e mbretit, vëmendjen e tërheqin dekorimet, si dhe janë ngritur tribuna për të ftuarit dhe platforma për gazetarët.

Kurorëzimi i Mbretit Charles III në Angli, ku kurorëzimi i fundit ishte në vitin 1953, konsiderohet ngjarje historike.

Atmosfera festive mund të shihet në dyqanet e suvenireve dhe në të gjitha dyqanet e tjera.

Në një nga zinxhirët e famshëm të librarive në vend mund të shihen librat për jetën e Mbretit Charles, monarkisë dhe Mbretëreshës Elizabeth në dritaret e Waterstones.

Nga restorantet, dyqanet e rrobave, stacionet e trenit dhe taksitë mund të shihen logot e kurorës, fotografitë e mbretit, maska dhe flamuj.

Mbreti Charles III do të ngjitet në fron, për të cilin ka pritur gati 70 vjet.


Shtuar 6.05.2023 08:00