Pavarësisht se dita nisi me mot të kthjellët dhe temperatura tipike për këtë periudhë të vitit, moti nuk do të vijojë i tillë gjatë orëve të pasditës dhe ditën e nesërme në të gjithë territorin e vendit.
Mësohet se sot dhe nesër vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike falë masave ajrore të lagështa me origjinë jug-perëndimore.
Masat ajrore të ftohta dhe me shi do të futen në vend nga territori grek, ndërsa në Adriatik dhe në Jon do të hasen shtrëngata të forta shiu të shoqëruara me rrufe dhe erë të fortë. Një stuhi shiu parashikohet të formohet përballë brigjeve shqiptare të Vlorës dhe Himarës gjatë mesditës së nesërme e cila do të përfshijë të gjithë kanalin e Otrantos.
Reshjet e shumta do të shoqërohen edhe me shkarkesa elektrike.
Ndërkohë, duke filluar nga orët e pasdites së sotme moti i vranët në të gjithë territorin ndërsa nisin reshjet e shiut me intensitet të ulët përgjatë ultësirës perëndimore.
Në orët e mbrëmjes reshjet me intensitet të ulët deri mesatar shtrihen në pjesën më të madhe të vendit.
Kjo situatë do të vijojë edhe për ditën e diel ku reshjet e shiut të herëpashershme do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit me intensitet kryesisht mesatar dhe lokalisht në veriperëndim dhe jug në formën e rrebesheve afatshkurtra.