Liruan skafistin që po i trafikonte drejt Italisë, arrestohen 5 roje bregdetare në Vlorë

Policia ka arrestuar 5 roje bregdetare në Vlorë të akuzuar për “Shpërdorim detyre” pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte dhjetra klandestinë sirianë  drejt Italisë më 8 janar të këtij viti.

Bëhet fjalë për skafistin 26-vjeçar Emiljano Likaj, skafi i të cilit u fundos në grykëderdhje të Vjosës, duke rrezikuar që të mbyteshin sirianët.

Vetë skafisti është arrestuar disa ditë më vonë, në ambientet e një lokali në zonën e Lungomares. Kanë qenë dëshmitë e vetë klandestinëve që çuan në identifikimin dhe më pas në arrestimin e tij.

Policia e Vlorës ka njoftuar sot se në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, 5 shtetas të shpallur në kërkim, me detyrë roje bregdetare.

“Në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bënë ndalimin e shtetasve: B. B., 38 vjeç, banues në Vlorë; R. Ç., 54 vjeç, banues në Vlorë; B. M., 26 vjeç, banues në Vlorë; S. B., 23 vjeç, banues në Vlorë; A. A., 34 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftim.

Sipas uniformave blu ndalimi i tyre u bë pasi gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues.


Shtuar 6.05.2021 09:16