Lirohet nga paraburgimi Dardan Molliqaj

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është liruar nga paraburgimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ka përfillur kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt, i ka caktuar masën e sigurisë, paraqitje në stacion policor.

Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M. (Dardan Molliqaj) për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pabazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor”, thuhet në njoftim.

“Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit D.M do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022.

Konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri D.M shkel masën e shqiptua”.

“Gjykata konstaton se përmbushet dyshimi të bazuar i paraparë me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së nuk plotësohen asnjëra nga kushtet e parapara ligjore nga neni 187 paragrafi 1 nën par 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, dhe 1.2.3 të KPPRK-së, parakushte këto për tu caktuar masa e paraburgimit”, thuhet në vendimin e gjykatës

Molliqaj ishte arrestuar të martën. Ai kërkohej nga Policia për shkak se dyshohej që kishte sulmuar një zyrtar policor më datën 29 janar kur ishte mbajtur një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.


Shtuar 3.02.2022 21:41