I ftuar në ABC Live, gazetari Artan Hoxha është shprehur se Ramazan Rraja u la i lirë pas deklarimeve ditën e djeshme, ndërsa shtoi se shoqërimi i tij nuk është bërë për shkak të makinës së blinduar.
Sipas gazetarit Ramazan Rraja është pyetur edhe për ngjarje të rënda që kanë ndodhur kohët e fundit në atë që Hoxha e cilëson si “trekëndëshi i Bermudës”, Tiranë-Durrës- Fushë Krujë.
Artan Hoxha: Operacioni i djeshëm nuk ka qenë i rastësishëm. Së fundmi kemi parë ngjarje të rënda në Shqipëri që janë pa autor. Sa herë Policia heq makinat e blinduara, rritet numri i vrasjeve. Patëm atentate ato kohë kur u ndaluan se kapeshin më kollaj. Makina që lëviznin Rrajat ishte në mbikqyrje. Dje janë ndaluar dhe 2 mjete të tjera të blinduara. Nuk ka thënë Policia se të kujt janë. Ramazan Rraja është shpallur në kërkim policor pas masakrës së Fushë Krujës. Nuk është paraqitur për atë ngjarje. Kam qenë në të njëjtin avion me Ramazan Rrajën nga Dubai në Rinas. Nuk u ndalua në Rinas dhe priti derisa e mori Policia e Fushë Krujës, e ka çuar në stacionin e Policisë. Ka dhënë deklarimin dhe është liruar në mbrëmje. Nga ai moment, kërkimi për të u hoq në mbrëmjen e 13 tetorit. Unë di që është pyetur për ngjarje shumë të rënda, por ai është lënë i lirë sepse nuk ka urdhër ndalimi. Ka dalë mbrëmë në darkë, ka qenë i lirë, kam komunikuar me të. Mund t’i ketë mbajtur telefonin se nuk ishte i njëjti si gjithmonë. Njerëzit e tij ishin të shqetësuar dje sepse dyshonin që ndalimi i tij nuk është bërë thjesht për mjetin e blinduar. Doli dhe nuk u bë zhurmë fare./albeu.com