Lira Gjika rrëfen skenën makabre të nënës me fëmijën e saj në rrugët e Tiranës: Jam tronditur!

Pediatrja Lira Gjika, përmes një postimi në Facebook, ka rrëfyer një skenë mes nënës dhe fëmijës së saj, të cilën e përshkruan si makabre.

Ajo shkruan se ndërsa po ecte në rrugë, pa një nënë me djalin e saj rreth 3 vjeç. Sipas Gjikës, nëna i drejtohet të birit duke i thënë: “po kështu bëj ti, por mami do vdesë dhe babi do të martohet me njerkën dhe ajo nuk do të të dojë ty fare”. Më pas, në rrëfim, Gjika thotë se djali filloi të qante dhe se kjo skenë e kishte tronditur.

“Isha duke shkuar në punë dhe përpara meje ecte një nënë e re me fëmijën e saj tre vjeçar. Fëmija vraponte para nënës dhe kthehej prapë te ajo. Nga distance, që e shikoja unë, ishtë një gjë e mrekullueshme. Por kur u afrova dhe pak pranë tyre, dëgjoj nënën e cila iu drejtua djalit: “po kështu bëj ti, por mami do vdesi dhe babi do të martohet me njerkën dhe ajo nuk do të të dojë ty fare”. Fëmija i vogël filloi të qajë me të madhe duke thënë:- jo mami, jo – por nëna vazhdonte:- jo ti kështu e do që të mos sillesh keq. Ishte një skenë makabre, që kisha vite që nuk e hasnja më , madje më ishte krijuar përshtypje që kjo mënyrë, tashmë ishte lënë më një anë dhe nuk përdorej më. Jo, kjo skenë më tronditi dhe tregon që “edukimi” ynë ka ende rrugë përpara për të arritur atë mënyrë, që e dëshirojmë të gjithë, por për fat të keq ende nuk po bëjmë atë, që duhet, pra të mos përdorim frikën dhe kërcënimin për edukim”, shkruan Lira Gjika./albeu.com


Shtuar 19.05.2022 19:54