Lidhje me mikun e Putinit? Policia bastis zyrat e Bayern Munich

Veprimet e hetuesve nuk ishin drejtuar kundër klubit të famshëm bavarez, por në rastin e pastrimit të parave nga Usmanov. Siç mësoi “Bild”, aksioni i policisë ishte rezultat i bashkëpunimit të hetuesve të zyrës penale federale dhe asaj bavareze. Bastisja në selinë e klubit në Mynih dhe në ambientet e stadiumit “Allianz Arena” u zhvillua të martën.

Miliarderi Usmanov është një mbështetës i njohur i Vladimir Putinit. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, oligarku u vendos në listën e sanksioneve të BE-së dhe pasuritë e tij u ngrinë. “Shoku i Putinit dyshohet se ka fshehur para nga krime të tilla si evazioni fiskal në periudhën 2017-2022. Flitet për shifra shumë milionëshe”, – thekson “Bild”.

Hetuesit po kërkonin prova për pastrimin e parave të Usmanov dhe kështu klubi i futbollit të Mynihut u bë objekt i interesit të tyre. Policia nuk dha detaje, por “një nga pikat e kontaktit mes oligarkut rus dhe Bayern Munich është presidenti i nderit, Uli Hoeness”, – shkruan “Bild”.

Usmanov dhe Hoeness e njohin njëri-tjetrin sepse kanë vilat në liqenin Tegernsee, ku oligarku rus jetoi deri në arratisjen e tij në mars 2022. Përveç kësaj, Hoeness i siguroi Usmanov bileta të sektorit VIP për ndeshjet më të rëndësishme të Bayernit në Champions League. Këtë e ka zbuluar “Bild”, duke shtuar se ende nuk dihet nëse dhe çfarë provash janë sekuestruar gjatë kontrollit.

Hetuesit konfirmuan se hetimi i pastrimit të parave kundër Usmanov “ende nuk ka përfunduar”. Autoritetet e Bayern Munich, të pyetur nga “Bild” për bastisjen e policisë të së martës, nuk deshën të komentojnë.

Siç kujton “Bild”, hetuesit tatimorë kontrolluan tre vilat e Usmanov në Tegernsee tashmëm në vjeshtën e vitit 2022. Edhe pse rusi ka qëndruar rregullisht atje që nga viti 2016 dhe ka punonjës, përfshirë sigurimin, ai nuk ka paraqitur kurrë një deklaratë tatimore. Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, pasuritë e Usmanov në BE u ngrinë dhe jahti i tij luksoz “Dilbar” u konfiskua.


Shtuar 29.04.2023 16:36