Komisioni Evropian përpiloi tekstin e paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen më 12 tetor.
Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draftet e këtyre dokumenteve, të cilat nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha deri në miratim.
Komisioni nënvizon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur ndikim ndryshimi i rrethanave globale, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ndërsa merret në mënyrë të veçantë me situatën ekonomike atje, zbatimin e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor, agjendën e gjelbër evropiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe përshtatjen e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së.
Në draftin e raportit të progresit për Kosovën, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.
Liberalizimi i vizave, “me urgjencë”
Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.
Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit.
Menaxhim “i dobët” i agjendës legjislative
Komisioni, po ashtu, thekson se “Kosova ka pasur stabilitet politik”, por nuk e vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit të Kosovës.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.
Kjo, sipas tij, ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative, por edhe për shkak se, siç thuhet, deputetët e opozitës kanë abstenuar nga votimi, për të penguar miratimin e vendimeve.
Situata në veriun e Kosovës, ndërkaq, vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket “korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes”.
Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është ende në “një fazë të hershme” dhe se këtu është arritur “një lloj progresi”.
Por, sikur edhe në vitet e mëparshme, progresi është më shumë në miratimin e vendimeve dhe krijimin e kornizave të nevojshme. Për zbatimin e tyre kërkohet më shumë punë.
Gjyqësori, “i ngadalshëm dhe joefikas”
Dokumenti përmend edhe funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.
Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.
“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.
Kritika Kosovës i bëhen edhe për atë që Komisioni Evropian e cilëson si “vendosje e kufizimeve për eksportin e një numri të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore, pa justifikim dhe pa konsultim me Komisionin Evropian”.
Konstatohet, po ashtu, se Kosova nuk e ka ratifikuar akoma protokollin plotësues të CEFTA-s, për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimeve.
Në anën tjetër, Kosova vlerësohet pozitivisht për aktivitetin kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Por, si “çështje për shqetësim” përmendet “lirimi i hershëm me kusht i ekstremistëve të dhunshëm”, ndërsa “kërkohet që të ketë më shumë përpjekje rreth rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre”.
Serbia “shënon kthim prapa”
Sa u përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ato, pak a shumë, përballen me sfida të ngjashme.
Kritikat më të mëdha i adresohen Serbisë, e cila, sipas draft-raportit, “ka shënuar kthim prapa” në përafrimin e qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, sidomos në rastin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Serbia vazhdon t’i refuzojë.
Në dokument përmenden edhe disa shifra, sipas të cilave, Serbia, në vitin 2021, i ka përshtatur në nivelin prej 64% qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti ka rënë në 45%.
Dokumenti thekson se Serbia “me një numër deklaratash dhe veprimesh ka dalë kundër BE-së” në politikën e jashtme.
Në tekstin e paketës së zgjerimit konstatohet se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që, më shumë se kurrë, të ndihet nevoja e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
“Sfidat gjeopolitike, sidomos agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, i kanë afruar më shumë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor dhe kanë rritur nevojën për solidaritet mes njëri-tjetrit”, thuhet në draftin e paketës së zgjerimit.
Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.
Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Serbia është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE./rel