Leli infektohet me COVID, kujton të vëllanë: Ishte shpirt festiv (FOTO LAJM)

Kryebashkiaku i vlorës Dritan Leli është infektuar me Covid.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Leli nëpërmjet një postimi në Facebook ku u shpreh se nuk mund të jetë i pranishëm në festën e përvitshme që zhvillohet në fshatin Kuç të Vlorës.

Ai kujton edhe të vëllanë, Edin i cili ndërroi jetë në 13 Tetor të vitit 2019 dhe u shpreh se ai ka qenë themelues i kësaj feste. Sipas tij, i vëllai Edi, ishte burimi i energjisë së çdo feste dhe do i mungojë shumë qytetit.

“Është hera e parë që Festës së Kuçit, takimit të përvitshëm të brezave, i mungon Edi. I mungon fizikisht sepse, për të gjithë, është si të ishte aty. Janë mbledhur sot pa Edin, por janë mbledhur për Edin, për shpirtin dhe themeluesin e këtyre takimeve që vitet e kthyen në traditë. Edi ishte energjia e çdo feste, kudo ku ishte i pranishëm. Tani, të gjitha takimeve, u mungon pjesa më e mirë, entuziazmi i pakursyer dhe bujaria e tij.

U jam falenderues miqve të tij, miqve tanë, organizatorëve dhe gjithë kuçjotëve që janë mbledhur sot për ta kujtuar, për të jetuar këto orë me historitë e Edit, me të qeshurën e tij ngjitëse që njësoj siç shpërndahej çdo ditë në Vlorë, për vite me radhë, në fund të gushtit, udhëtonte gjithnjë në Kuç.

Më vjen keq që për shkak të ditëve që duhet të qëndroj i izoluar prej Covidit, nuk mund të jem i pranishëm, por mendimet për Edin na bëjnë njësoj bashkë! Kujtojeni Edin, gjithmonë, ashtu siç ishte kur ju bëri bashkë dhe ashtu siç jetoi deri në fund, me vrullin e ëndrrave në të cilat besonte.

Kjo festë është e kuçjotëve dhe e Kuçit! Gëzuar” shkruan ai./albeu.com


Shtuar 21.08.2021 22:01