Lejoi një fshatar të mbillte kanabis, arrestohet kryeplaku i fshatit Kuturqare në Gramsh

Policia ka arrestuar kryeplakun e fshatit Kuturqare në Gramsh pasi ka lejuar një bashkëfshatar të mbjellë kanabis. Gjithashtu është shpallur në kërkim autori dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasit A. D., 31 vjeç, banues në Elbasan.

Njoftimi i policisë:

Gramsh

Vijon kontrolli i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Vihet në pranga kryeplaku i fshatit Kuturqare në Gramsh, për shpërdorim detyre.

Shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike.

Në vijim të kontrolleve të zhvilluara në territor, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë konstatuar në pronën private të shtetasit A. D., në fshatin Kuturqare në Gramsh, fidanë kanabis të kultivuar në gota plastike, gati për t’u mbjellë në tokë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh bënë ndalimin e shtetasit G. Sh., 53 vjeç, banues në fshatin Kuturqare Gramsh, me detyrë kryeplak i fshatit, si dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, shtetasit A. D., 31 vjeç, banues në Elbasan. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”./albeu.com

Shtuar 16.07.2021 12:54