Legalizimi i kanabisit, Berisha: Rama si përdorues droge kërkon ta përcjellë përdorimin në të gjithë shoqërinë shqiptare

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama kërkon të përcjellë përdorimin e drogës në të gjithë shoqërinë shqiptare përmes legalizimit.

Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi që zhvilloi sot me intelektualë, në lidhje me sfidat me të cilat po ndeshet familja shqiptare.

“E them me keqardhje të madhe se PD devijoi nga vlerat e saj themelore të programit të saj. Jo që nuk u bë avokate e këtyre vlerave, por me heshtjen e saj kontribuoi qëndrimeve herë-herë anti-familje dhe armiqësore ndaj familjes. Ju garantoj se kjo periudhë merr fund. Këtu ju keni rreshtuar të gjithë problematikën në tërësinë e saj dhe biem dakord se për fat të keq s’ka asgjë që ndikon më shumë në familje se qeverisja. Po jap dy tre shembuj. Ky që është sot në qeveri dhe që rëndom thuhet se ka qenë përdorues droge, thotë se do pyes anketën për legalizimin e kanabisit. Çfarë u ofron ky fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave, u ofron drogën si alternativë. Ky që mund të ketë qenë vetë përdorues kërkon ta përcjellë këtë në mbarë shoqërinë shqiptare”, u shpreh Berisha./albeu.com/