Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas lajmeve se është organizuar një atentat ndaj ish-presidentit malazez, Milo Gjukanoviç.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se këto lajme janë tepër shqetësuese për vetë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
POSTIMI I PLOTË:
Lajmet për plane për atentate ndaj liderit historik dhe vizionar të Malit të Zi, ish-Presidentit, Milo Đukanović janë tepër shqetësuese për vetë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Prapa këtyre planeve qëndrojnë ata që dështuan në projektin e grushtit të shtetit atje vite më parë, që dështuan me projektet për ndryshimin e kufijve, ata që kërkojnë të minojnë të ardhmen euroatlantike të Malit të Zi dhe të rajonit. Janë ata që ekzekutuan ish-Kryeministrin proeuropian të Serbisë, të ndjerin Zoran Gjingjiç.
Jemi pranë ish-Presidentit Milo Gjukanoviç, familjes së tij dhe Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, me besimin e plotë se Ai do të vazhdojë i palëkundur kontributet e vyera për përshpejtimin e proceseve integruese dhe europianizuese të Malit të Zi, për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore shqiptaro-malazeze.