Pallati “Tod Trungu” në qendër të Durrësit, është ndërtesa që u bë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë.
Prokuroria e Posaçme gjeti shkelje në lejen e ndërtimit të dhënë 11 vite më parë gjatë drejtimit të bashkisë nga Vangjush Dako. Ai dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të drejtorisë së Urbanistikës akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Po ashtu ka rënë në pranga edhe ndërtuesi i pallatit, shtetasi Fiqiri Farruku. Ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe nga hetimet e nisura një vit më parë u gjetën shkelje si nga Dako, ashtu edhe nga disa ish-zyrtarë.
Për Dakon, Farrukun dhe 5 ish-zyrtarë është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për tre gra, ish-zyrtare, është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndër të tjera, Dako akuzohet dhe për korrupsion në lidhje me një tender.