Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën ditën e sotme, pasi 40-vjeçari Dan Hutra vrau me armë zjarri motrën e ish-bashkëjetueses, kunatën si dhe një 31-vjeçare tjetër e cila ndodhej në oborrin e banesës së saj në zonën e Kamzës, ndërsa plagosi ish-bashkëjetuesen dhe nënën e saj si dhe të dashurën.
Por ky nuk ishte krimi i parë që kishte bërë Dan Hutra, pasi në vitin 2003 ai rrëmbu nënën e kunatës dhe përdhunoi këtë të fundit, ndërsa në vitin 2007-të vrau gruan e tij të parë.
Ndërkohë vetëm dy javë më parë ishte liruar nga burgu, pasi ishte dënuar vitin e shkuar me 8 muaj për dhunë në familje.
Por ajo që ngre më shumë pikëpyetje është se kush e liroi nga burgu Dan Hutrën?
Pas interesimit të mediave ka reaguar Gjykata e Apelit, e cila thekson se në janar të këtij viti kishte rrëzuar kërkesën e Dan Hutrës, i cili kishte kërkuar ndryshimin e masës nga burg në detyrim paraqitjeje.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit:
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me zëvëndësimin e e masës së sigurimit “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale Dan Hutra, i dyshuar për kryerjen e veprëse penale “Dhunë në familje”, parashikuar nga neni 130/a të Kodit Penal.
Me vendimin nr. 555/1 Akti, datë 09.01.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës me nr. 3356/1 Akti, datë 04.01.2023 me kërkues Dan Hutra.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale Dan Hutra, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, zëvëndësimin e e msës së sigurimit nga “arrest në burg” në atë “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”.
Në përfundim të gjykimit, me vendimin nr. 66, datë 14.02.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Irida Kacerja, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3356/1 Akti, datë 09.01.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Për vijueshmërinë e procesit të shtetasit Dan Hutra, në shkallë të tjera të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk ka informacion.
Tiranë, 03.01.2023
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM