Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e fundit për këtë vit të qeverisë, ka folur për sfidat, sukseset dhe punët që e presin në të ardhmen.
Duke folur për aspektin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, Kurti përmendi edhe situatën në veri të vendit.
Ai ka thënë se bandat kriminale i janë vënë kundër veprimeve të ligjshme të institucioneve dhe Qeverisë së Kosovës.
“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve të ligjshme të institucioneve të Kosovës i janë kundërvënë kriminelet duke i sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke e cenuar sigurinë në vend. Këta kriminel po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit dhe cenim të integriteti territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se nuk do të ketë bashkëpunim me këta kriminel dhe se të njëjtit do të arrestohen.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e e bashkëpunojnë me kriminel por do ti arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave është veprim i paligjshëm dhe i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, u shpreh Kurti.
Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin me KFOR-in sa i përket barrikadave.
“I kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it, por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndroj edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.
Grupe të serbëve lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që prej kur janë vendosur barrikadat 19 ditë më parë, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.