Vera tashmë ka nisur me temperatura të larta të cilat mund të shkaktojnë probleme të ndryshme shëndetësore ndaj mjekët sugjerojnë shmangien e orëve të pikut.
Ja disa nga sëmundjet më të zakonshme në stinën e nxehtë:
1. Goditja nga i nxehti
• Goditja nga i nxehti ose hipertermia ndodh si pasojë e ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave të larta. Simptomat e goditjes nga i nxehti përfshijnë: temperaturë mbi 39ᵒC, lëkurë e kuqe e thatë, të përzjera, alternime të koshiencës, të dridhura të forta të trupit, dhimbje koke.
2. Helmimi nga ushqimi
• Helmimi nga ushqimi ndodh nga konsumimi i ushqimit ose ujit të kontaminuar. Moti i ngrohtë dhe i lagësht ofron një mjedis pjellor për rritjen e baktereve të cilat pas hyrjes në trupin e njeriut shkaktojnë dhimbje stomaku, të përziera, diarre ose të vjella.
3. Dehidratim
• Një nga problemet më të shpeshta në verë për shkak të djersitjes së shtuar. Kujdes, humbja e lëngjeve duhet të zëvendësohet për funksionimin normal të trupit.
4. Lija e dhenve
• Një nga sëmundjet më të shpeshta të verës. Simptomat e zakonshme përfshijnë flluska, kruajtje të lëkurës, skuqje, temperaturë të lartë, humbje të oreksit dhe dhimbje koke.
5. Tifoja
• Transmetohet nga uji përmes rrugëve orofekale. Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje, dobësi, dhimbje barku, dhimbje koke dhe humbje oreksi.
6. Djegia nga dielli
• Shkaktohen nga rrezet ultraviolet (UV) të diellit që dëmtojnë qelizat e lëkurës. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit të dëmshëm UV mund të çojë në skuqje të dhimbshme në lëkurë.
7. Skuqje nga nxehtësia
• Ka ngjyrë të kuqe ose rozë që shfaqet në zonat e trupit që janë të mbuluara me veshje dhe është më e zakonshme tek fëmijët. Ndodh kur kanalet e djersës bllokohen dhe fryhen, dhe shfaqet si pika ose puçrra të vogla në lëkurë. Shpesh shkakton siklet dhe kruajtje.