“Ku je more demokrat”, Rama batuta në Thumanë: Shpëtojmë edhe nuset e vjehrrat

Kryeministri Edi Rama ka shkëmbyer batuta me banorët në Thumanë.

Rama ishte ditën e sotme në Thumanë, ku deklaroi se Viti i Ri do t’i gjejë familjet e prekura nga tërmeti i 26-nëntorit në shtëpitë e reja që janë ndërtuar.

“Në 2-3 ditët në vijim njerëzit do të fillojnë të hyjnë në apartamentet pas meje dhe pastaj në shtëpitë individuale që në prag të Krishtlindjeve të rikthehemi në një festë të madhe dhe të ndezim pemën e ullirit të paqes dhe begatisë, që do të kthehet në një simbol të kujtesës dhe shpresës. Janë 433 familje që rikthehen në kushte me pallate me standarde të larta” tha ai.

Në kantier, kreu i qeverisë u prit nga një prej drejtuesve të firmës së ndërtimit. “Ku je more demokrat” i tha Rama, që më pas e falënderoi për punën, që sipas tij është e jashtëzakonshme.

Gjatë fjalës së tij nuk munguan edhe batutat. “Filloi edhe shiu që uroj që të paralajmërojë bereqet për të gjitha këto familje të lënduara”. E ndërsa shpjegoi procesin e ndarjes së banesave bëri sërish një batutë për nuset dhe vjehrrat.

“Është bërë edhe një plus, kudo ku të dëmtuarit nën një kulm kanë qenë më shumë se një kurorë përfitojnë aq apartamente sa kurora. Me këtë rast lehtësojmë edhe vjehrrat edhe nuset nga të qëndruarit në një kulm u japim mundësinë të duhen më shumë duke qenë secila në kulmin e vet” u shpreh Rama./albeu.com/


Shtuar 25.11.2021 16:05