Në veriun e pluhurosur të Emirateve të Bashkuara Arabe, një nga jahtet më të mëdha në botë qëndron në një port të qetë –duke shmangur deri tani fatin e anijeve të tjera luksoze të lidhura me oligarkët rusë të sanksionuar.
Shfaqja e pasurisë së bollshme është befasuese në një nga emiratet më të varfra të vendit, 90 minuta me makinë nga ndërtesat shumëkatëshe të Dubait. Por prania e jahtit 118 metra të tipit ‘Motor Yacht A’ në Gjirin Ras al-Khaimah tregon gjithashtu neutralitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, pasi Dubai mbetet një magnet për paratë ruse dhe kryeqyteti i tij i pasur me naftë e sheh Moskën si një partner të rëndësishëm të OPEC-ut.
Që kur tanket ruse u futën në Ukrainë, shtatë qarqet e Emirateve kanë ofruar një strehë për rusët, si për të dëshpëruarit për të ardhmen e vendit të tyre, ashtu edhe për mega-pasanikët e shqetësuar për sanksionet perëndimore.
Ndërsa pjesa më e madhe e botës ka vendosur sanksione ndaj institucioneve ruse dhe aleatëve të Presidentit Vladimir Putin, Emiratet nuk e kanë bërë një gë të tillë. Emiratet gjithashtu kanë shmangur kritikat e hapura të luftës, që qeveria atje ende i referohet si “kriza e Ukrainës”.
Jahti luksoz i përket Andrey Melnichenkos, një oligark me pasuri rreth 23.5 miliardë dollarë, sipas Forbes-it. Dikur ai drejtonte prodhuesin e plehrave kimike Eurochem dhe më pas SUEK, një nga kompanitë më të mëdha të qymyrit në botë.
Në muajin mars Bashkimi Evropian e përfshiu Melnichenkon në një listë sanksionesh masive ndaj drejtuesve të biznesit dhe të tjerëve të cilësuar si bashkëpunëtorë të afërt me Presidentin Putin. Sanksionet e BE-së vunë në dukje se ai mori pjesë në një takim të 24 shkurtit që Presidenti Putin mbajti ditën e sulmit.
“Fakti që ai u ftua për të marrë pjesë në këtë takim tregon se është anëtar i rrethit më të ngushtë të Vladimir Putinit dhe se ai po mbështet ose zbaton veprime ose politika që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Ukrainë”, tha BE-ja në atë kohë përmes një deklarate.
Sipas deklaratave nga kompanitë, Andrey Melnichenko ka dhënë dorëheqjen nga pozicionet që mbante në të dy firmat kryesore. Megjithatë, ai ka kritikuar sanksionet perëndimore dhe ka mohuar të jetë i afërt me Presidentin Putinin.
Andrey Melnichenko nuk mund të kontaktohej për koment përmes këshilltarëve të tij.
Tashmë, autoritetet në Itali kanë sekuestruar një nga anijet e tij – 600 milionë dollarëshen Sailing Yacht A. Franca, Spanja dhe Britania gjithashtu kanë kërkuar të vënë në shënjestër super-jahtet e lidhura me oligarkët rusë si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë globale për të ushtruar presion ndaj Putinit dhe njerëzve të afërt me të.
Por jahti Motor Yacht A, 300 milionë dollarë, deri më tani duket i paprekur. Anija mbante një flamur të Emirateve të martën, kur gazetarët e agjencisë Associated Press vëzhguan anijen.
Pozicioni i fundit i regjistruar i jahtit më 10 mars e tregon atë pranë Maldiveve në Oqeanin Indian, pak më shumë se 3,000 kilometra nga Gjiri Ras al-Khaimah. Imazhet satelitore nga kompania Planet Labs PBC të analizuara nga agjencia AP tregojnë anijen në Ras al-Khaimah duke filluar nga data 17 mars, një javë më vonë.
Autoritetet në Ras al-Khaimah nuk iu përgjigjën një kërkese për koment mbi praninë e jahtit. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me anijen, por tha në një deklaratë se ajo e merr “jashtëzakonisht seriozisht rolin e saj në mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar global”.
Por deri më tani, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim të tillë publik që vë në shënjestër Rusinë. Vendi abstenoi në një votim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në shkurt që dënonte sulmin e Rusisë, duke zemëruar Uashingtonin.
Përgjigja neutrale mund të vijë nga “fitimet financiare që po shohim në Dubai përsa i përket ardhjeve të reja të turistëve dhe përpjekjeve ruse për të lëvizur pasuritë e tyre dhe për të blerë prona”, tha Karen Young, një bashkëpunëtore në Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Uashington.
Qarkullimi i parave ruse – të ligjshme apo jo – është tani një sekret i hapur në Dubai, ku hotelet dhe plazhet luksoze mbushen gjithnjë e më shumë nga rusishtfolësit. Prezantuesit e radios shtetërore përshkruajnë me gëzim një fluks masiv.
Emiratet e Bashkuara Arabe u shndërruan në një nga korridoret e pakta të fluturimit të mbetura jashtë Moskës. Qeveria e Emirateve u ofroi të gjithë rusëve viza tre-mujore me shumë hyrje, duke lejuar kompanitë e mëdha të transferojnë lehtësisht punonjësit e tyre nga Moska në Dubai. Terminali i avionëve privatë në aeroportin Al Maktoum International ka parë një rritje prej 400% të trafikut, tha së fundmi drejtuesi ekzekutiv i aeroportit.
Agjentët e pasurive të paluajtshme kanë raportuar një shtim të interesit nga rusët që kërkojnë të blejnë prona në Dubai, veçanërisht në gradaçielat e Dubai Marina dhe vilat në Palm Jumeirah.
Për ata që duan të lëvizin në Emiratet e Bashkuara Arabe, blerja e pronave të shtrenjta gjithashtu ndihmon në sigurimin e një vize.
“Biznesi po lulëzon tani,” thotë Thiago Caldas, drejtor i firmës së shitblerjeve Modern Living me bazë në Dubai, e cila tani pranon kriptovalutat për të lehtësuar shitjet me klientët e rinj rusë. “Ata kanë një jetë normale dhe nuk përballen me kufizime.”
Zoti Caldas thotë se kërkesat nga klientët rusë në Dubai janë 10 fishuar që nga lufta, duke detyruar firmën e tij të punësojë tre agjentë rusishtfolës për t’u marrë me mbylljen e kontratave.
Me sanksionet ndaj bankave dhe bizneseve ruse që pengojnë qasjen e shumë qytetarëve tek kapitali i huaj, rusët po përpiqen gjithnjë e më shumë të anashkalojnë transfertat bankare përmes monedhave dixhitale në Dubai, thanë dy tregtarë të kriptomonedhave në qytet, ku ata janë në gjendje të likuidojnë shuma të mëdha parash.
“Është një strehë e sigurt. … Flukset hyrëse nga llogaritë ruse u rritën 300% disa ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë”, tha një tregtar rus i kripto-monedhave në Dubai.
Por, presioni po rritet. Të martën vonë, ambasada amerikane në Abu Dhabi postoi një video-mesazh në solidaritet me Ukrainën, ku shfaqeshin ambasadorë nga demokracitë kryesore të botës, ndërsa ministri i jashtëm i Rusisë viziton rajonin.
“Ne jemi të bashkuar kundër agresionit të pajustifikuar, të paprovokuar dhe të paligjshëm të Rusisë”, tha Ernst Peter Fischer, ambasadori i Gjermanisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.