Donald Trump deklaroi të dielën se Keir Starmer është drejt largimit nga posti i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa në mediat britanike po qarkullojnë prej ditësh raportime të shumta për një skenar të tillë.
Përmes një mesazhi në Truth Social, presidenti amerikan shkroi: “Keir Starmer do të japë dorëheqjen si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar”, por nuk ofroi asnjë burim apo sqarim shtesë për këtë pretendim.
Të lidhura
None found
Sipas agjencisë britanike PA, që prej takimit të tyre në samitin e G7, zhvilluar më herët gjatë javës, Trump dhe Starmer nuk kanë pasur më komunikim mes tyre.
Në të njëjtin postim, Trump sulmoi qasjen e shefit të qeverisë britanike, duke veçuar emigracionin dhe energjinë si dy çështjet ku, sipas tij, Starmer ka dështuar.
“Ai dështoi keq në dy tema shumë të rëndësishme, emigracionin dhe energjinë”, shkroi Trump, teksa përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për të zgjeruar shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit në Detin e Veriut.
Nga Downing Street, një zëdhënës rikujtoi deklaratën më të fundit të Starmer, i cili të premten u shpreh se mbetet i përkushtuar ndaj detyrave të tij në krye të qeverisë.
“Ka ende shumë punë për të bërë dhe kjo është ajo ku jam i përqendruar. Për këtë jam zgjedhur, për t’i shërbyer vendit tim”, deklaroi Starmer.
Ndërkaq, sekretari britanik për Biznesin, Peter Kyle, u shpreh për BBC se Starmer po vlerëson “realitetet politike” të çastit dhe se do të veprojë sipas asaj që ai e konsideron interesin më të mirë të vendit.
Në ditët e fundit, hamendësimet për të ardhmen politike të Starmer janë intensifikuar, ndërsa mediat britanike raportojnë se ai mund ta bëjë publik vendimin e tij që të hënën.
