Një efektiv i policisë gjermane ka fyer rëndë një shtetas shqiptar.
Lajmi i fyerjeve raciste ka shkaktuar shumë bujë në mediat e Gjermanisë.
Sipas gazetës BILD, autoritetet kanë nisur një hetim ndaj policit në fjalë. Videoja është xhiruar nga personi i abuzuar.
“Ma hiq këtë celular m…,” thotë polici me uniformë. Pasi personi kundërshton, ai reagon sërish.
“Ik zhduku. Më mirë ik se do e harroj. Ik, kthehu te ai vendi yt i derrave”, thotë polici.
Sipas transmetuesit Hessen Schau, ngjarja ka ndodhur në vitin 2020. Video e policit 34-vjeçar u hodh fillimisht në YouTube, por kaloi pa zhurmë. Kur video u ripostua në TikTok, ajo u bë virale.
Mediat gjermane shkruajnë se viktima e racizmit është një shqiptar, i cili për momentin ndodhet në Shqipëri. Ai nuk ka ngritur një padi, por autoritetet i kanë bërë thirrje që ta bëjë diçka të tillë.
Edhe pse shqiptari mendohet se ishte problematik, policia thotë se një sjellje e tillë nga uniformat blu është plotësisht e papranueshme. “Edhe në situatat më të vështira, ne duhet të ruajmë qetësinë,” tha një zëdhënës i policisë.