Kryeministrja britanike i bën thirrje aleatëve, Liz Truss: Mbështesim në mënyrë të palëkundur Ukrainën

Kryeministrja britanike Liz Truss tha të shtunën se aleatët duhet të qëndrojnë të palëkundur në krah të Ukrainës dhe të injorojnë kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin.

Zonja Truss, e cila u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe atë të Francës, Emmanuel Macron në Nju Jork javën e kaluar në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si kryeministre, u bëri thirrje vendeve demokratike të jenë të vendosura kundër “regjimeve autokratike”.

Kryeministrja britanike tha se presidenti rus po përshkallëzonte agresionin e tij në Ukrainë sepse ai nuk po fitonte dhe se ai kishte bërë një gabim strategjik.

Presidenti Putin urdhëroi javën e kaluar një mobilizim të pjesshëm trupash dhe përmendi mundësinë e një konflikti bërthamor.

 

 

“Unë mendoj se ai nuk e kishte parashikuar forcën e reagimit nga bota e lirë,” tha zonja Truss në një intervistë për CNN-in, transmetuar të dielën.

“Ne nuk duhet t’u kushtojmë rëndësi kërcënimeve të tij të rreme. Ne duhet të vazhdojmë të vendosim sanksione ndaj Rusisë dhe të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit”, tha ajo.

Zonja Truss, që mori detyrën në fillim të këtij muaji, ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Rusisë dhe Kinës.

Por ajo ka pasur gjithashtu mospërputhje me disa aleatë tradicionalë, veçanërisht në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, lidhur me marrëveshjet tregtare me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.

Kryeministrja britanike tha se ajo vazhdon të dëshirojë një zgjidhje të negociuar mbi të ashtuquajturin protokoll të Irlandës së Veriut, se ajo dhe presidenti Biden bien dakord se paqja duhet të ruhet dhe se ajo beson në “marrëdhënien speciale” midis Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Unë mendoj se marrëdhënia jonë është e veçantë dhe është gjithnjë e më e rëndësishme në një kohë kur po përballemi me kërcënime nga Rusia, (dhe) përballë sfidës së Kinës,” tha zonja Truss.

“Jam i vendosur që ta bëjmë marrëdhënien speciale edhe më të veçantë gjatë viteve të ardhshme.”

Zonja Truss tha se pati një “takim shumë të mirë” me presidentin francez Macron në Nju Jork.

“Mezi pres të punoj me të në të ardhmen,” tha ajo.

Ajo tha se aleatët e Britanisë duhej të punonin së bashku në qëndrimin e tyre ndaj Kinës si dhe Rusisë.

I pyetur nëse Britania do ta mbronte Tajvanin ushtarakisht nëse Kina ndërhyn, siç kanë thënë Shtetet e Bashkuara, zonja Truss tha: “Ne jemi të vendosur të punojmë me aleatët tanë për t’u siguruar që Tajvani të jetë në gjendje të mbrohet.”/ VOA


Shtuar 25.09.2022 20:11