Kryeministri grek Mitsotakis po planifikon një vizitë në Izrael

Teksa numërimi mbrapsht në Izrael për perspektivën e një ndërhyrjeje tokësore në Gaza ka nisur dhe ndërkohë që diplomacia evropiane dhe amerikane i drejtohet Jerusalemit me një mesazh vetëpërmbajtjeje ndaj civilëve të rajonit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis po komunikon me liderët e zonës.

Në të njëjtën kohë, sipas raportimeve, nuk duhet të përjashtohet edhe skenari i një vizite të kryeministrit në Izrael në ditët në vijim.

Mbi të gjitha, dy ditë më parë, Mitsotakis pati një bisedë telefonike me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu.

Perspektiva e një shpërthimi më të gjerë ka ndezur alarmin në Pallatin Maximos dhe sot do të tentohet një koordinim evropian në Samitin e jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, i cili do të zhvillohet pasdite përmes video-konferencës.

Mitsotakis, në të njëjtën kohë, me iniciativën e tij, ka telefonuar presidentin turk Tayip Erdogan, pas telefonatës që pati me presidentin egjiptian Al Sisi.

Megjithatë, dihet se Greqia dhe Turqia kanë këndvështrime të ndryshme për situatën në vazhdim, por kjo nuk i pengon dy liderët të diskutojnë.

Aq më tepër që në Athinë po zhvillohet procesi i diskutimeve në nivel zëvendësministrash të jashtëm për axhendën pozitive dhe dialogun politik.

/Albeu.com


Shtuar 17.10.2023 12:14