Kryemadhi-Ramës për Këshillimin Kombëtar: Sapuni për djathë nuk mund të jetë më alternativë për shqiptarët

Teksa Rama foli mbi procesin e Këshillimit Kombëtar, ku tha se mbi 62 mijë qytetarë kanë shprehur opinionin e tyre tek pyetësori, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaron se kjo nismë nga qeveria do të ketë të njëjtin fat dështues si dialogu farsë për universitetin.

Kryemadhi shtoi se Edi Ramës nuk i intereson opinioni i qytetarëve, sepse qeverisja e tij është vetëm në shërbim të interesave personale.

“Propaganda e Edi Ramës me emrin “Këshillim Kombëtar” do të ketë të njëjtin fat dështues si dialogu farsë për universitetin. Shumë zhurmë për asgjë, sa për të mbuluar zullumet e qeverisë. Edi Ramës nuk i intereson opinioni i qytetarëve, sepse qeverisja e tij është vetëm në shërbim të interesave personale. Faktet flasin me qartë se sloganet! Miratimi sa më parë i një ligji evropian për referendumet është domosdoshmëri për rikthimin e sovranitetin tek qytetarët. Vetëm shprehja e vullnetit përmes referendumit, i cili kthehet në një vendimmarrje detyruese për t’u zbatuar, është Këshillimi Kombëtar i vërtetë që meritojnë shqiptarët. Sapuni për djathë nuk mund të jetë më alternativë për shqiptarët”, deklaron Kryemadhi./albeu.com/