Kroos, mesfushori gjakftohtë që po e mban Realin në gjah për trofe

Kur Toni Kroos arriti në seancën e parë stërvitore me Real Madridin në vitin 2014, ai shkoi në rrugën e gabuar. Duke dalë në fushë në qendrën stërvitore “Valdebebas”, Kroos pa dy rrathë lojtarësh që godisnin topin. Vrapoi drejt grupit në anën e majtë. Gjermani gjykoi se ai rreth kishte më pak lojtarë. Ishte logjike bazuar në numrin e lojtarëve. Por përgjithësisht rrethi i majtë është për lojtarët spanjollë të klubit, i djathti për të huajt. Askush nuk i kushtoi rëndësi këtij veprimi të Kroosit. Disa mendonin se Kroos po kërkonte të mbronte veten ose ndoshta thjesht nuk ishte në dijeni të kodit. E vërteta ishte që Kroos e dinte kodin, por në atë moment nuk kishte kuptim për të.

Në një klub si Madridi, padyshim më i madhi në botë, ku tifozët janë ndër më kërkuesit dhe vëmendja e presioni mbi lojtarët është më i madhi, Kroos ka vazhduar të shquhet si një figurë e të menduarit të ftohtë dhe të qartë. Vlerësimi në të cilin ai mbahet në “Santiago Bernabeu”, ose së fundmi në “Alfredo di Stefano”, sigurisht nuk ishte automatik.

Të njëjtat dyshime që kishin ndaj tij në Bayern Munchen, i përjetoi edhe te Reali. Kroos te Reali ishte një mesfushor pa të meta të mëdha, por pa pikat e forta të dukshme, as shkatërrues dhe as krijues, i vështirë për t’u përcaktuar dhe, në fillim, i vështirë për t’u admiruar. Në Gjermani kishte pasur edhe një mosbesim më të thellë ndaj karakterit. Kishte mendime se mungesa e emocioneve të jashtme të Kroos buronte nga mungesa e guximit, një akuzë e ngritur rregullisht ndaj brezit që më vonë fitoi Kupën e Botës në vitin 2014.

Megjithatë, prania e Kroosit në treshen më të suksesshme të mesfushës në botë është e padiskutueshme. Ai rrallë gëzon një lloj lavdërimi që synojnë lojtarët si Karim Benzema, Sergio Ramos, Casemiro ose Luka Modriq. Modriq dhe Casemiro ndoshta kanë kontribuar edhe në zhvlerësimin e Kroosit. Modriq, që njihet si “plejmejker” dhe Casemiro si shkatërrues, nuk dhanë mundësi vlerësimi për gjermanin Kroos në fillim. Megjithatë, brenda në klub gjërat shihen ndryshe dhe Kroos është prej më të vlerësuarave nga të gjithë.

“Toni është i jashtëzakonshëm, ai është një legjendë e klubit. Sa herë që del në fushë, ai këtë e bën me klas. Askush nuk mund të luajë sikurse ai”, ishin fjalët e brazilianit Vinicius Junior për Kroosin.

E lëvdata për Kroosin ka edhe braziliani Casemiro.

“Nëse Toni dëshiron që ekipi ta ulë ritmin, atëherë do të ulet ritmi. Nëse ai dëshiron që të shkojmë me ritëm më të shpejtë, do të bëjmë një gjë të tillë. Toni vendos për ritmin e lojës në klubin tonë”, ka pranuar Casemiro.

Për trajnerin Zinedine Zidane, Kroos është një zgjedhje e menjëhershme për ndeshjet më të mëdha të ekipit.

“Ai e ka këtë autoritet”, tha Zidane. “Ai nuk flet shumë, ai është një djalë i qetë dhe i rezervuar. Ai shprehet në fushë”.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez i dha Kroosit një kontratë katërvjeçare në vitin 2019, një shfaqje besimi pasi ai sapo kishte mbushur 29 vjet dhe ishte në fund të vitit që kishte qenë zhgënjyes për ekipin. Dhe ndërsa Manchester Unitedi pothuajse e angazhoi atë në vitin 2014, Kroos tani shpreson të pensionohet atje ku është, shkruan Koha.net.

“Ideja është që të përfundoj karrierën time në Real Madrid”, tha Kroos.

Megjithatë, nga jashtë ka ende një sinjal që lojtari më i suksesshëm i Gjermanisë ende po fluturon në fushë. U deshën dy pasime milimetrike që të shkaktoi kërdi në mbrojtjen e Liverpoolit. Pasoi një goditje e lirë të shtunën, në fitoren ndaj Barcelonës, ​​që talenti i Kroosit të kthehet në qendër të vëmendjes.

Këto asistime në fitoren 3:1 ndaj klubit anglez, e kanë vënë Real Madridin në prag të kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, një punë që spanjollët shpresojnë ta përfundojnë të mërkurën mbrëma në ndeshjen e dytë, kundër një kundërshtari të pasigurt brenda një stadiumi bosh.

Goditja e lirë e Kroosit ka bërë që Reali të jetë favorit për ta fituar edhe titullin e kampionit në La Liga. Aktualisht, Reali është në pozitën e dytë në tabelë me 66 pikë, një më pak se Atletico Madridi që është lider dhe një më shumë se Barcelona që renditet e treta. Kjo formë e mirë e Realit në javët e fundit, mund të bëjë që Zidane ta mbyllë edicionin me dy trofe, gjë që dukej e paimagjinueshme disa javë më parë. Ndërsa sezoni aktual po arrin kulmin, Reali është shndërruar në një ekip që ka gjetur një besim dhe qetësi. Duket se në klub kanë filluar të jenë gjakftohtë sikurse Toni Kroos.


Shtuar 13.04.2021 22:40